“DokuFesti” injeksion për ekonominë e Prizrenit

Prizren | 08 Gus 2017 | 19:50 | Nga

Hotelet, restorantet por edhe kafenetë janë të mbushura plot në Prizren, pavarësisht se temperaturat janë tejet të larta gjatë ditës.

Këtë numër të madh të qytetarëve nga gjithandej vendit po e mbledh rreth vetes Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe atij Dokumentar, “DokuFest”, raporton KTV.

Drilon Hoxha, i cili punon në një prej lokaleve të Prizrenit, thotë se as gjatë tërë vitit nuk mund të ketë më shumë vizitorë sesa gjatë “DokuFestit”, andaj përfitimet janë të mëdha.

Ndër aktivitetet e shumta në “DokuFest” padyshim se interesimi për filmin mbetet qendrori.

Sipas Ares Shportës, kinemaja “Lumbardhi” të hënën ishte e mbushur plot e madje nuk kishte karrige aq sa kishte të interesuar për filmin që po shfaqej.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, është shprehur se deri tash për organizimin e “DokuFestit” janë shpenzuar 350 mijë euro.

Nurkollari shton se ekonomia e Prizrenit rritet dukshëm, pasi ka mijëra vizitorë e shumë prej tyre janë ndërkombëtarë.

KTV’ja nuk ka mundur të marrë një prononcim nga komuna e Prizrenit se me çfarë shume e ka mbështetur “DokuFestin” dhe sa ka përfitim komuna nga ky festival. Por, këtë e ka treguar drejtori artistik, Nurkollari.

Sipas tij, komuna pritet t’i ndajë vetëm 10 mijë euro për këtë festival.

Të kënaqur janë qytetarët që e mirëpresin festivalin më të madh në vend, i cili këtë vit ka mbushur 16 vjet.

“DokuFesti”, me aktivitete të shumta si premiera filmash, punëtori, koncerte, ekspozita etj., do të përcillet gjatë tërë javës.

Të ngjashme