Emërimi i Këshillit Drejtues – një hap për nxjerrjen e “Dodonës” nga kriza

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 10:36 | Nga

Mungesa e drejtorit, ansamblit rezident, buxhetit e po ashtu edhe disa probleme me objektin – ani pse s’ka as gjashtë muaj prej se u rinovua – janë sfidat e para me të cilat Këshilli Drejtues i teatrit “Dodona” bashkë me Komunën e Prishtinës duhet të përballen.

Ky institucion tashmë është bërë me Këshill Drejtues, gati gjashtë muaj pasi që anëtarët e përbërjes së kaluar dhanë dorëheqje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjendja momentale e teatrit të qytetit të Prishtinës, “Dodona”, konsiderohet goxha e rëndë dhe emërimi i Këshillit Drejtues është një hap minor për ta nxjerrë nga kriza.

Regjisori Kushtrim Koliqi, dramaturgia Doruntina Basha, aktori Enver Petrovci, regjisorja Hana Qena dhe Bekim Sele si përfaqësues i Komunës së Prishtinës, janë ata që kanë marrë përsipër mëkëmbjen e teatrit.

“Dodona” qysh prej janarit të vitit 2017 është pa drejtor, ndërsa në fund të vitit të kaluar kur edhe u bë rinovimi i objektit, pati shumë reagime nga pjesëtarë të komunitetit artistik. Edhe ish-Këshilli Drejtues iu adresua organeve komunale me një shkresë pikërisht për këtë çështje, ende pa i inauguruar rinovimi. Veçmas skena u cilësua jostabile që rrezikonte aktorët të cilët do të luanin aty. Vazhdon të mbetet e tillë.

Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, i cili mori këtë pozitë në janar të këtij viti, ka thënë se “Dodonën” e ka gjetur me shumë probleme, por që janë duke ndërmarrë hapa që kjo gjendje të ndryshojë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme