Fotografi italian Franco Fontana vjen me ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar

Prishtinë | 06 Tet 2017 | 09:22 | Nga

Fotografi i madh italian Franco Fontana do të çelë në Tiranë ekspozitën “Grand Tour Italia” më 6 tetor, në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar, do qëndrojë e hapur një muaj rresht, deri më 5 nëntor.

Franco Fontana është një fotograf ekologjik, dhe i suksesshëm në shumë zhanre fotografish. Këndvështrimi i tij është fokusuar kryesisht në përdorimin e ngjyrës e gjeometrisë.

Skena nga jeta sociale, pamje nga jeta rurale, industriale apo urbane, krijojnë një antagonizëm të ngjyrave të forta, pothuajse të ekzagjeruara dhe linja të mrekullueshme në artin fotografik të Fontanas. Ai njihet si një nga eksponentët më të mëdhenj të fotografisë italiane.

Nëpërmjet blicit të tij, peizazhi italian shfaqet si një figurë gjeometrike pothuajse perfekte. Ky peizazh është i mbështjellë në një atmosferë të tejdukshme që ngjall tonet rilindëse. Hapësira e fotove mbushet nga ngjyrat e plota, të verdha, jeshile dhe bojë qielli. Janë gjuha e një fotografie që punon rreth poezisë së ngjyrës e që vjen për të transformuar natyrën në forma abstrakte.

Franko Fontana lindi në Modena të Italisë në vitin 1933.U shfaq si fotograf autor në vitin 1961. Që nga vitet ’70 ai ka punuar në kërkim të një stili esencial kompozicional, bazuar në fushat e ngjyrave.

Nga vitet ’70 deri më sot Fontana ka realizuar më shumë se dyzet libra në Itali, Francë, Zvicër, Spanjë, SHBA dhe Japoni dhe i ka ekspozuar punën e tij në më shumë se 400 ekspozita personale dhe kolektive në muzetë dhe galeritë në mbarë botën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme