Historia e dashurisë së James Joyce, e lënë në dorëshkrim

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 20:13 | Nga

Ata gishtërinj të ftohtë e të qetë kanë prekur faqet e shkruara, mirë e marrë, fletët ku trupi im do të vezullojë përjetë. Gishtrinj të qetë, të ftohtë e të qashtër. A kanë gabuar ndonjëherë vallë? Trupi i saj s’ka aromë: lule pa erë…

Në Triesten e vitit 1914, James Joyce priste të ndjente në errësirë kërcitjen e takave të saj, teksa ecte në shkallët kumbuese me rrasa guri. Ai e dinte se ajo mbasditeve do të kalonte aty, ashtu siç bënte çdo ditë të javës. Ajo zonjusha e re italiane i kishte rrëmbyer zemrën irlandezit të letrave, i cili flakte tej cigaren e nxitonte ti thërriste, sapo ajo shfaqej tej rrugës. Ajo kthehej, e ndalej të dëgjonte fjalët e tij rrëmujë, si belbëzonte, jo po orët, mësimi, leksionet…dhe ngadalë në faqet e saj të zbehta përhapej një dritë përkëdhelëse. Kjo zemër është e trullosur, e trishtuar. Dashuria ti jetë bërë kryq?

Këtë pyetje James Joyce, e shkroi në fletoren me letër mat, ku dalëngadalë prej muajsh, i kishte dhënë jetë një tjetër shkrimi. Një shkrim për dashurinë, për atë ndjesi që nuk e linte të qetë, kur dritat fikeshin në qytet, duke hedhur në letër gjithçka ndodhte në brenda trupit të një burri të dashuruar, pa menduar se padashje e kishte kthyer veten në një personazh, krejt të pazakontë nga personazhet e tjerë të tij. Emri I tij do të ishte Giacomo Joyce, por pavarësisht kësaj gjetje ai nuk mund ta fshihte Joycen, që lexuesit do të gjenin më vonë tek ky personazh.
“Krijesë dashamire. Në mesnatë, pas muzikës, për gjithë rrugën lart në via San Michele, këto fjalë u folën lehtë. Merre shtruar Xhejmso! A nuk pate ecur më parë nëpër rrugët e Dublinit, natën,I ngashëryer për një emër tjetër?”

Po kjo dashuri do të ishte ndryshe. Kjo ndjehet gati një shekull më pas pas shkrimit të ndjesive të tij për Amalia Popper, ku shkrimtari është kthyer I gjithi në një personazh që do të tregojë dhe fijet e padukshme të mendimeve për gruan që do. “Giacomo Joyce” një novelë e shkurtër dashurie, shkruar nga James Joyce, mendohet se është shkruar nga autori më korrik-gusht 1914. Libri mund të lexohet dhe në shqip nën përkthimin e Idlir Azizit, ”Botimet Logoreci”, i cili ka sjellë të plotë në shqip kryeveprën e Joyce Uliksin. Kjo novelë është lënë në dorëshkrim nga Joyce dhe nëse I referohemi mënyrës sesi është shkruar teksti, nuk e ka menduar ndonjëherë botimin e tij.

Sipas Richard Ellmann, biograf i tij faktet e shumta e përcaktojnë këtë periudhë si të qënësishme, megjithëse dorëshkrimi, ndryshe nga veprat e tjera të Joyce-it, nuk ka datë. Ai e pat lënë dorëshkrimin të hartuar në fletë të trasha letre mat e me bojë të zezë, në duart e vëllait të tij Stanislaus-it, pasi u largua nga Triesteja në vitin 1909. Mbetet nga të rrallat shkrime të tij që u botua pas vdekjes , për herë të parë më 1968. Biografët kanë mundur ti afrohen personazhit kryesor të këtij dorëshkrimi: është Amalia Popper, ish nxënëse e Joyce-it, kur ai jepte mësime private anglishteje në Trieste, gjatë viteve 1907-1908, për të normalizuar sadopak financat e familjes. Joyce jetoi për disa kohë në Trieste, qyteti disi I rrënuar por me popullsi shumëkombëshe e shumëgjuhëshe.

Nuk është përcaktuar qartë nëse Joyce synonte apo jo ta botonte këtë rrëfim të shkurtër, por dihet që e ka konsultuar gjatë ndërtimit të episodit Lopët e Diellit të Uliksit, gjatë një vizite në Trieste më 1919. “Megjithëse I shkurtër teksti mbetet kultivues I natyrës së ngjeshur aluzive, baroke dhe epifanike të shkrimit të Joyce. Eshtë fakt që një seri me epifani, të hedhura në mënyrë fluktoide , me hapësira boshe për plotësim të mëvonshëm” shkruan përkthyesi Idlir Azizi.

Amalia Popper ishte pjesëtare e një familjeje me origjinë hebreje në Trieste. Sipas Azizit ky është një detaj që nuk mund të anashkalohet, kur dimë vendosjen e figurës së një hebreu, zotit Blum, si personazh qendror tek Uliksi.
…Kurmet e hebrenjve shtrihen përreth meje, kalben nën kallëpin e fushës së tyre të shenjtë. Ja ky është varri I njerëzve të saj, guri I zi, heshtja pa shpresën…Prekashi Meisel më solli këtu. Ai rri gatitu matanë atyre pemëve, në këmbë, me kokën mes duarve, te varri I të shoqes së vetëvrarë; nuk e kupton dot sesi gruaja që dikur flinte me të në shtrat të ketë përfunduar aty…Varreza e njerëzve të saj, dhe I saji, guri I zi, heshtja pa shpresën, dhe gjithçka është gati. Mos vdis!…

Më shumë se një novelë, ky dorëshkrim i ngjason dhe një ditari të gjatë mbajtur nga shkrimtari, ku ditë pas dite ngjarjet plotësojnë historinë që duket se nuk ka qenë e lehtë për Joyce-n. Një burrë në pritje, i mbushur me ankthin e padurimit që lidhje të tilla krejtësisht të fshehta ta japin, dhe brerjet e lehta të ndërgjegjes për tradhtinë që kjo lidhje mbart. Duke mos e menduar se këto rrëfime një ditë do të ishin para lexuesit, Joyce shihet në to i lirë jo vetëm për të menduar, por edhe për të ndërtuar një skelet të jashtëzakonshëm historie, duke i dhënë personazhit që e kishte robëruar ngjyrat që s’do të mund t’ia jepte në një tjetër libër. Por në fund kjo është një novelë krejtësisht për dashurinë, me nota thellësisht autobiografike, duke na zbuluar shekuj më pas një Joyce ndryshe, por njëkohësisht joshës për lexuesin. Historia përfundon me hyrjen e zonjushës Popper në dhomën e shkrimtarit dhe padurimin e tij për ta prekur.

Pezull gjithçka. Apartamenti i zhveshur. Agim apatik. Një piano muri e zezë: qivuri i muzikës. Aty në buzë prehet kapelja e një femre, me lul të kuq, dhe ombrella, e pahapur. Dërgesë: Duamë, duaje ombrellën time! (Shqip)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme