Nuovo Monte – nder dhe detyrë!

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 18:55 | Nga Ernest Luma

Kalaja e Artanës apo Nuovo Monte (më vonë Novobërdë) e rindërtuar në shekullin XIII, por, supozueshëm, e ndërtuar qysh në antikë, paska qenë duke u rrënuar tash e pesë vjet nga një kompani e Serbisë, dhe pikërisht para syve të institucioneve të Republikës së Kosovës!

UNESCO ua paska besuar renovimin apo konservimin e saj barbarëve që njihen si rrënues dhe falsifikues të civilizimeve nëpër krejt Ballkanin (të njëjtit e patën shkatërruar Urën e Mostarit, e patën bombarduar Dubrovnikun e lashtë dhe e patën djegur me themel objektin e Lidhjes së Prizrenit, barbari këto që i kemi parë me sytë tanë, ne dhe UNESCO)!

Por, institucionet dhe politika e vendit tonë, tê habitur pas asfaltit, betonit dhe numrave për t’i ruajtur apo fituar pozitat në këtë vend, sikur kanë harruar se dikush, nê ndërkohë, po e groposë civilizimin tonë të lashtë!

Tmerri u kuptua vetëm pasi që buldozherët e barbarëve të Shumadisë filluan t’i rrënojnë muret e kalasë dhe t’i zhdukin artefaktet e shumta të civilizimit brenda tyre, barbari në të cilën, deri tash, ata paskan shpenzuar rreth dy milionë euro.

Diçka si te “Ura me tri harqe” – hijenat që rrënonin natën atë që ndërtohej ditën. Por, kësaj radhe, hijenat po e rrënonin ditën, civilizimin tonë të mijëra vjetëve.

Unë, mendoj, burgu është pak për përgjegjësit e këtij rrënimi dhe të papërgjegjshmit e shurdhuar e të qorruar, të cilët e kishin mandat, nder dhe detyrë, që ta ruanin këtë amanet të shekujve.

Të ngjashme