“Përtej” me artin e rezistencës midis raporteve Kosovë-Serbi

Prishtinë | 29 Qer 2018 | 08:50 | Nga

Një ngjarje kulturore, e veshur me ndikim politik, e mbajtur dy dekada më parë në Beograd, ishte depërtim i artistëve kosovarë. Për më tepër u pa si art i rezistencës. Ishte qershori i vitit 1997 dhe dhuna e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë sa vinte e rritej.

Ekspozita “Përtej” do të kritikohej aq sa edhe do të mirëpritej. Mediat në Beograd do ta quanin “provokim”, ndërsa iniciatori, Shkëlzen Maliqi, bashkë me artistët Sokol Beqiri, Mehmet Behluli, Maksut Vezgishi dhe Ilir Bajri do të stigmatizoheshin nga një pjesë e shoqërisë kosovare. “Përtej” u organizua në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Edhe atje gjeti përkrahës.

Një gjë e tillë u pa mirë në videomaterialin e prezantuar pak para nisjes së debatit në temën “Përtej: Dy dekada të bashkëpunimit alternativ”, që u mbajt të enjten në qendrën “Multimedia”, ku u prezantua monografia “Rasti i Studimit Përtej” që pikënisje ka këtë ekspozitë, për t’u shtrirë më pas në 20 vjetët e ardhshëm të bashkëpunimeve kulturore midis Kosovës e Serbisë.

Në video prezantohen njerëz të ndryshëm nga Beogradi, të cilët flasin për përshtypjet e tyre rreth veprave të artistëve kosovarë, për thyerjen e paragjykimeve që kishin pasur ndaj shqiptarëve dhe artit të tyre. E kishin cilësuar si “befasi”, “tejkalim i pritshmërive”, “këndvështrimi ri”, “punë e shkëlqyeshme” e të tjera.

Për këtë ka treguar edhe Maliqi. Ai ka thënë se me gjithë kritikat, kjo ekspozitë ka shërbyer si nismë drejt një bashkëpunimi dhe prezantimi të artit bashkëkohor kosovar para publikut serb, gjë që më pas u hapi shumë dyer artistëve vendorë.

Dramaturgia Borka Paviçeviq, e cila njëherësh është aktiviste kulturore dhe drejtoreshë e Qendrës për Dekontaminim Kulturor, që tash 20 vjet i mban dyert hapur për artin dhe artistët kosovarë, ka thënë se realizimi i ekspozitës nuk ka qenë i lehtë.

Në këta 20 vjetët fundit, është e qartë se individë ose institucione të pavarura të artit kanë ndihmuar në krijimin e një themeli kulturor, por që sipas dramaturgut Jeton Neziraj atmosfera rreth këtyre bashkëpunimeve ka ndryshuar.

Publikimi “Rasti i Studimit Përtej” është pjesë e projektit “Përtej/Beyond/Preko 20 Vite”, një bashkëpunim në mes “Kosovo 2.0” dhe CZKD-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme