Shumë vende në veriperëndim të Francës ishin shkatërruar tërësisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Për shkak të sasive të mëdha të mbetjeve njerëzore dhe të kafshëve e po ashtu edhe granatave të panumërta të pashpërthyera, zona të famshme të “Zone Rouge” në veri të Francës mbeten jashtë kufijve edhe sot. Lufta që përfundoi 100 vjet më parë ende lë gjurmë në natyrë.
Artisti nga Osnabrücku i Gjermanisë, Volker-Johannes Trieb, iniciatori i projektit “1914/1918 – Not Then, Not Now, Not Ever”, shpeshherë ka punuar me drunj që bartin gjurmët e luftës së madhe. Ideja e tij ka qenë që të mbledhë artistë nga vende të ndryshme të përfshira në Luftën e Parë Botërore që të punojnë me materialin e njëjtë për të krijuar një ekspozitë memoriale për ta shënuar 100-vjetorin e përfundimit të luftës, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e DW.
Tridhjetë e një artistë të njohur janë përfshirë në këtë projekt të kuruar nga Mattijs Visser. Nga secili është kërkuar që të prezantojë një prej 29 shteteve nënshkruese të Traktatit të Versajës dhe Konferencës së Paqes në Paris, bashkë me Rusinë dhe Ukrainën, të cilat kishin nënshkruar traktat të veçantë për paqe, para shteteve të tjera.
“Jemi befasuar se sa shpejt artistët kanë pranuar”, ka thënë ai.
Secilit prej tyre i është dhënë nga një kub druri me dimensione 30 me 30 centimetra që do t’u shërbente si pikënisje e veprës së tyre. Druri është marrë nga mali Hirtzbach në Alsace, një prej fronteve më të debatuara gjatë konfliktit. Drunjtë kanë shenjat nga pjesët e predhave.
“Aq shumë fuqi dhe histori vjen nga drunjtë”, ka thënë artistja australiane Fiona Hall, e cila ka udhëtuar për në Berlin për hapje të ekspozitës në “German Reichstag”. Ajo ka realizuar një skulpturë që përfshin një copë buke prej tallashi të mbërthyer me tela gjemborë, me të cilën i referohet mungesës së miellit që i bëri njerëzit të gatuanin me tallash gjatë luftës.
Veprat e paraqitura në ekspozitë ofrojnë perspektiva të ndryshme të konfliktit. Disa prej tyre kanë përdorur modifikime minimale dhe i kanë lënë titujt që rrëfejnë një histori më vete. Për shembull, artisti portugez Pedro Cabrita Reis ka shpuar vrima të vogla në kub që e ka titulluar “Ares”, emri i zotit grek të luftës; artisti bullgar Nedko Solakov ka bërë viza me ngjyrë për të portretizuar “Dead Warriors”. Artistja amerikane Kiki Smith, e cila paraqet një gjethe lisi të artë, i dha veprës së vet një titull që në fakt është storie e shkurtër: “Ishte një biznes i zjarrfikësve në rrugën ‘Broome’, shenja e së cilës thoshte ‘ajo që nuk digjet asnjëherë’, por në rastin e disa farave është e nevojshme që të ketë zjarr në mënyrë që ato të hapen”.
Artistë të tjerë lanë veprat e tyre pa titull duke mundësuar që elementet e tyre dalluese të stilit të flasin vetë, qofshin ato gozhda, siç është në rastin e artistit gjerman Günther Uecker, apo pigmenti i kuq joreflektues i artistit indian Anish Kapoor.
Duke përdorur metoda tipike në skulpturën e saj ku kombinohen mediume të ndryshme, artistja belge Berlinde de Bruyckere mbuloi kubin e saj me dyllë dhe lëkurë kafshe.
Në disa raste kubet e drunjve janë transformuar tërësisht. Artisti nga Zelanda e Re, David McCracken, e ka bërë drurin copa dhe më pas e ka vendosur në një kuti si material mbrojtës për skulpturën e tij të stilizuar që ka formën e bombës. Artisti ukrainas Aljoscha e dogji kubin e drurit për të lejuar që grimcat e saj të krijojnë tym për t’u shpërndarë nëpër botë; hiri është integruar në një insalacion prej silikoni ngjyrë vjollce për të prezantuar “se si njerëzit biologjikisht kanë predispozita për dhunë”.
“Të gjithë artistët kishin një respekt të pafund për materialin”, ka thënë kuratori Visser. Edhe pse shpresonte që në mesin e veprave të kishte të atilla që simbolizojnë paqen, shumica prej tyre erdhën me propozime që më parë kishin të bënin me luftën. Sidoqoftë, sipas Visser, sado të errëta që janë këto vepra “ato shërbejnë si përkujtim”, apo rikujtim artistik për mortalitetin “që na bën ta njohim më shumë vlerën e jetës”.
Duke i bërë jehonë idesë, Wolfgang Schäuble, president i Bundestagut Gjerman, ka thënë në hapje të ekspozitës së “kujtimi ynë për vitin 1918 na tregon se as qasja e as demokracia nuk mund të merren si të mirëqena”, duke iu referuar faktit se periudha e paqes që erdhi pas Luftës së Parë Botërore nuk zgjati shumë.
Emri i projektit merr një pjesë nga libri i Truus Menger-Oversteegen, një grua holandeze e cila ka qenë luftëtare e rezistencës kundër nazistëve. “Not Then, Not Now, Not Ever” mund të shihet edhe si një thirrje e vazhdueshme për t’i rezistuar luftës, pasi që konfliktet e tmerrshme ende prekin Evropën dhe mbarë botën.
Në ekspozitë artisti Jean Boghossian nuk ka hezituar të prekë veprën e tij dhe të diskutojë kuptimin e saj, duke treguar se si skulptura ishte ndarë në dy pjesë që në fakt plotësonin njëra-tjetrën. “Double World” (Botë e dyfishtë) shpalos tensionin në mes të palëve në konflikt, humbësit dhe fituesit e botës që kërcënojnë njëri-tjetrin me tehet e tyre të mprehta.
“Prapë, dy pjesët e drurit janë të dizajnuara që të përshtaten në mënyrë perfekte së bashku nëse komunikojnë”, ka thënë skulptori. “Jam optimist dhe shpresoj se do ta bëjnë këtë”.