Artpolis dënon dhunën në Shtëpinë e Pleqve në Pejë

Prishtinë | 03 Nën 2022 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Dhuna prej kujtdo dhe kurdo është e papranueshme dhe duhet të dënohet.

Dhuna ndaj gruas në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë, përveç që është shqetësuese dhe e tmerrshme, shpërfaq përbrendësimin e patriarkatit edhe tek disa gra. Prandaj, dënimi për gratë që ushtrojnë dhunë ndaj gruas së moshuar sipas ligjeve në fuqi është domosdoshmëri.

Artpolis është kundër gjykimit nga turma, prandaj iu bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të sjellin drejtësi për secilën grua, për secilën viktimë të dhunës së burrave apo grave, pa dallim.

Artpolis përherë do të jetë në mbrojtje të grave artiste dhe aktiviste që angazhohen për drejtësi dhe barazi. Kjo nuk është ndryshe as me aktoren e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis, Kaltrinë Zeneli, e cila ka denoncuar rastin publikisht, përkundrazi. Guximi i Kaltrinës na inspiron dhe motivon që të angazhohemi edhe më fuqishëm si organizatë për të drejtat e grave dhe grupeve të margjinalizuara.

Zërat kërcënues ndaj Kaltrinës vetëm sa na forcojnë bindjen se angazhimi kundër dhunës na sjell çdo ditë e më afër lirisë, drejtësisë dhe barazisë. Zmbrapsja për ne nuk është opsion, kurrë nuk do të jetë. Jemi këtu për t’i thënë stop dhunës, dhe po fuqizimit të grave dhe emancipimit shoqëror.

Të ngjashme