Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Përgjithshme të Francës, Elisabeth Guigou i është përgjigjur homologut të saj kosovar, Elmi Reçica në letrën që ky ditë më parë i kishte dërguar për rastin e ndalimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritet franceze.
“Sapo pranova përgjigjen përmes komunikimit diplomatik, nga Elisabeth Guigou, Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Përgjithshme të Francës, lidhur me shqetësimin tonë për të cilin iu pata drejtuar ditë më parë për ndalimin e padrejtë të z. Ramush Haradinaj. Duke qenë thellësisht i bindur në pafajësinë dhe pastërtinë e Ramush Haradinaj lidhur me rolin e tij në Luftën Çlirimtare, mbi këtë bazë presim që të korrigjohet ky gabim dhe besojmë që sa më shpejtë autoritetet e drejtësisë franceze do të nxjerrin një vendim meritor për lirimin e ish Kryeministrit z. Haradinaj”, ka shkruar Reçica.
Ndërsa, në letrën e Elisabeth Guigou thuhet se ajo është interesuar për këtë çështje dhe se ndalimi i Haradinajt është bërë në bazë të një urdhri të Interpolit, prandaj sipas saj ky është vetëm respektim i obligimeve ndërkombëtare të Francës.
Ajo ka siguruar se arrestimi i i Haradinajt nuk ka asnjë dimension politik dhe se raportet në mes të Francës nuk do të ndryshojnë.