Aseteve të sekuestruara po u bie vlera, ministrja Hoxha kërkon shitjen e tyre

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Dhurata Sadiku-Hoxha, së bashku me prokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, përfaqësues nga ambasada e SHBA-së, EULEX-i dhe zyra e BE-së në Republikën e Kosovës, vizituan Depon Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar në fshatin Llukar.

Kjo vizitë u bë me qëllim që të kuptohet se sa përfitime sjellin këto asete nga shitja si dhe mos-humbja e vlerës së tyre.

Asetet e sekuestruara të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme kapin vlerën prej 34.4 milionë euro, në mesin e tyre janë edhe 170 automjete të ndryshme.

Ministrja Hoxha, tha se shitja e pasurisë në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë.

Ministrja Hoxha theksoi se është e nevojshme që të bëhet shitja e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar që të mos shkaktohen humbje shtesë edhe nga zhvlerësimi i asaj pasurie.

“Shitja e pasurive në fazën e sekuestrimit do të kontribuonte në ruajtjen e vlerës së këtyre pasurive, zvogëlimin e shpenzimeve gjatë administrimit të tyre, si dhe përfitimet që do sillte shitja në këtë fazë”, theksoi ministrja Hoxha duke vënë në pah se shitja e pasurive, ndikon në zvogëlimin e shpenzimeve për administrim që drejtpërdrejt nënkupton kursimin e arkës së shtetit.

“Vetëm sekuestrimi i pasurisë nga Gjykata nuk është i mjaftueshëm, por në këtë proces, duhet që konform dispozitave ligjore në fuqi, të nxirren vendime të cilat e lejojnë  shitjen në  fazën e sekuestrimit. Nuk do të lejojmë shpenzimin e buxhetit të shtetit për pronën e konfiskuar”, theksoi ministrja Hoxha.

dhurata-hoxha-llukar1 hamdi-ibrahimi-llukar

Të ngjashme