Situata vazhdon të jetë e njëjtë, vetëm disa ndryshime në fytyrën e CR7 që është më i qeshur para Kupës së Botës.
Marca ka bërë një shkrim për Cristiano Ronaldon, që ende dëshiron të largohet nga Real Madridi dhe klubi gjithashtu është i gatshëm ta lë të ndodhë diçka e tillë.
Ai është i zhgënjyer për shkak të mos realizimit të premtimeve nga ana e numrit një të klubit, Florentino Perez.
Sipas Marcas, Cristiano e di qe nuk ka klub më të mirë se Real Madridi për të arritur objektivat e tij dhe klubi e di që të humbasësh Cristianon pas humbjes së Zinedine Zidane, do të ishte e tmerrshme për të gjithë.
Ronaldo udhëtoi në Rusi shumë i acaruar dhe i shqetësuar për të ardhmen e tij. Ai ndjehet i degraduar nga oferta e rinovimit nga ana e klubit.
CR7 ndjen se Real Madridi është shumë larg për të arritur shumën që ai dëshiron.
Ai e di se klubi ka resurset dhe kjo është arsyeja pse ndjehet i nënvlerësuar. Kjo është edhe gjëja që e acaron më së shumti.
Fillimisht u raportua se Reali nuk do t’i ofrojë më shumë se 24 milionë në sezon portugezit, që aktualisht merr 21 milionë.
Ndërsa ditë më parë, u raportua për një marrëveshje të re që me bonuse, shkon deri në 32.5 milionë, sërish shumë larg Neymarit e Messit, që fitojnë 37 milionë, respektivisht 47 milionë.
Përderisa nuk ka ndonjë ndryshim drastik në ditët në vijim, sipas MARCA-s, është e vështirë që Ronaldo të qëndrojë.
Cristiano është pjesë e Realit që nga viti 2009, ku ka bërë 438 paraqitje dhe besoni apo jo, ka shënuar 450 gola, më shumë se ndeshje.