Ashley Young refuzon rinovimin me “Djajtë e Kuq” dhe mbrojtësi i United kërkon të transferohet në Milano, te klubi i Interit. “Zikaltërit” kanë probleme me krahët në fazën mbrojtëse, sidomos në anën e majtë dhe trajneri Antonio Conte po përpiqet në maksimum për të përforcuar skuadrën.
Për hir të së vërtetës 34-vjeçari anglez i ka dhënë fjalën trajnerit puljez për të kaluar në radhët e Interit, por drejtuesit e Manchester United kanë reaguar pa humbur kohë, duke u munduar për ta shtyrë akoma edhe për pak qëndrimin e ish-lojtarit të përfaqësueses së “tre luanëve” në ishull. Pra gjërat për kapitenin e United komplikohen ndjeshëm, pas propozimit të beftë të marrë nga drejtuesit për të rinovuar kontratën aktuale edhe me një tjetër vit.
Për momentin Ashley Young, që luan pak a shumë njësoj në të dy krahët e mbrojtjes, ka thënë jo, pasi duket i bindur për projektin “zikaltër”.
34-vjeçari nga Stevenage luan në radhët e United që nga viti 2011, madje Young u morr fillimisht nga Alex Ferguson nga Aston Villa si lojtar krahu, sidoqoftë vetë futbollisti dëshiron Interin, që i ka ofruar menjëherë një kontratë deri në mesin e vitit 2021. Ashley Young-ut i përfundon kontrata aktuale me United pikërisht në qershorin e këtij sezoni, megjithatë Antonio Conte i ka ofruar garanci për një aktivizim shumë më të shpeshtë në formacion si titullar, për më tepër në një repart ku trajneri puljez ka në dispozicion vetëm Biraghi-n. Dimarco do të largohet, ndërsa Asamoah që është kthyer në stërvitje prej dy ditësh nuk i ofron garancinë e duhur, në aspektin fizik trajnerit Conte, prandaj dhe u bë e mundur marrëveshja paraprake, me disponueshmërinë maksimale nga vetë lojtari. Problemi qëndron në faktin që shefit të klubit të Manchester United Ed Woodward befas i ka shkrepur në mendje për të ndalur gjithcka.
Ole Gunnar Solskjaer ka larguar shumë futbollistë nga United, gjithsesi është fakt që me trajnerin norvegjez në timon “djajtë e kuq” po grisin cdo rekord negativ të tre dekadave të fundit, për më tepër trajneri nordik i dha duart drejt Interit pikërisht dy lojtarëve si Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez, megjithëse ky i fundit gjendet te “zikaltërit” në formë huazimi. Është e qartë pavarësisht shiritit të kapitenit që Ashley Young nuk hyn aspak në planet e Solskjaer-it, madje numri 18 në këto dy muajt e fundit është aktivizuar vetëm dy herë si titullar në Premier League, megjithatë në mënyrë të kuptueshme administratori i klubit Ed Woodward kërkon të shtyjë gjithcka pavarësisht refuzimit të prerë të vetë futbollistit për të qëndruar edhe pas muajit qershor, kur në fakt edhe i përfundon kontrata me klubin aktual.
Ashley Young është një emër i sugjeruar nga vetë Antonio Conte, madje trajneri i Interit e pati kërkuar këtë lojtar edhe gjatë kohës që drejtonte klubin e Chelsea-t, sidoqoftë në rast bllokimi të marrëveshjes së arritur është e kuptueshme që 50-vjecari nga Lecce të zhvendosë vëmendjen në drejtime të tjera. Conte ka për zemër edhe lojtarë të tillë si Marcos Alonso dhe Emerson Palmieri, pra pikërisht dyshen ku u mbështet vazhdimisht, gjatë aventurës së tij në ishull. Bëhet fjalë për dy operacione që ndryshojnë vërtet shumë nga rasti i futbollistit të United Ashley Young. Si Alonso ashtu edhe Emerson janë më të rinj në moshë dhe nuk janë në përfundim të kontratës, për më tepër për këta dy lojtarë “blutë” kanë pritshmëri të larta, deri në vlera që i kalojnë 30 milionë eurot për secilin, madje drejtuesve të ekipit londinez as që iu ka shkuar fare në mendje një transferim në formë huazimi, me të drejtë blerjeje, për këto dy futbollistë. Deri në fund të muajit janar ka ende kohë, megjithatë Conte nuk ka ndër mend për të pritur aq gjatë, kështuqë shumë do të varet nga vetë presidenti Roman Abramovich, e nëse bosi i “bluve” ndez “dritën jeshile” atëherë me shumë gjasa brenda fillimit të javës së ardhshme trajneri puljez do të ketë në dispozicion pikërisht njërin nga lojtarët që ka stërvitur te ekipi londinez./Top Channel