Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat për “Shkaqet e Vdekjeve në Kosovë» për vitet 2014/2015.
Rezultatet e shkaqeve të vdekjeve janë përpunuar në mënyrë analitike dhe në tabela standarde sipas klasifikimeve të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë OBSH (WHO) dhe Eurostati.
Publikimi i Shkaqeve të Vdekjeve në Kosovë për vitet 2014/2015 është bërë në bazë të përpunimit të pjesës “Çertifikata mjekësore për vdekje”, të pyetësorit statistikor për vdekje, DEM-2.
Ky publikim u mundësua me punën e përbashkët të ASK-së dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK).
Përpunimi i informacioneve për Shkaqet e Vdekjeve në Kosovë krijon mundësi të gjera për analiza mjekësore. Grupimi standard dhe paraqitja në tabela mundëson analiza dhe krahasime me vendet e tjera. Kodimi i sëmundjeve sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, revizioni i tretë (KNS – 10), vlerësohet nga OBSH si kodim i fundit me analitikë që aplikojnë sot vendet e zhvilluara.
Për ta realizuar këtë hulumtim të rëndësishëm statistikor, është e domosdoshme që mjekët në spitale, klinika, qendrat mjekësore, ambulance etj. ta bëjnë përshkrimin e diagnozës në pyetësorin statistikor DEM-2 në pyetjen 23 –Shkaku i vdekjes nga “historia” e pacientit për personat e kuruar në spitale, nga “kartoni” për personat e kuruar në ambulanca, ose nga ndonjë dokument valid nga i cili qartë shihet diagnoza, për personin e vdekur.
Nga gjithsej vdekje të raportuara në vitin 2014, 79.4% janë të koduara (me diagnozë), ndërsa 20.6% të pakoduara (pa diagnozë). Në vitin 2015, 81.8% e vdekjeve janë të koduara (me diagnozë), ndërsa 18.2% e vdekjeve janë të pakoduara (pa diagnozë). Pjesëmarrja e vdekjeve të pakoduara është pasojë e mungesës së diagnozës nga personeli mjekësor, kompetent për konstatimin e vdekjes dhe shkakut të vdekjes.
Sipas kodifikimit të shkakut të vdekjes në Kosovë në vitin 2014 vdekjet më të shumta janë nga: sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut (61.0%); sëmundjeve me tumore (17.4%); sëmundjet me simptoma, shenja dhe rezultate jonormale klinike dhe laboratorike të paklasifikuara gjetiu (4.1%), etj. Ndërsa, në vitin 2015, vdekjet më të shumta janë nga: sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut (62.7%); sëmundjet me tumore (14.7%); sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes (5.4%), etj.