ASK: Shkalla e papunësisë 27.5 për qind

Prishtinë | 15 Maj 2017 | 12:32 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet kryesore të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2016.

Sipas rezultateve të AFP-së për vitin 2016, shkalla e papunësisë është 27.5%, raporton Ekonomia Online.

Sipas publikimit, papunësia më e theksuar është te femrat me 31.8%, krahasuar me meshkujt, 26.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.4%. Kurse, fuqia joaktive është mjaft e lartë (61.3%), me fokus të veçantë te femrat me 81.4%, krahasuar me meshkujt (41.7%).

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë me moshë pune, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 38.7%.

“Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2016 ishte 28.0%. Punësimi më i lartë ishte te meshkujt, 43.0%; ndërsa, punësimi te femrat ishte 12.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.3% të tyre; ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, ndërtimtarisë dhe tregtisë, me 44.3%”, thuhet në publikim.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.8%; prodhimi me 13.2%; ndërtimtaria me 11.5%; dhe arsimi me 10.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 29.5% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.5% kanë kontratë të përkohshme.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme