Kishte gati një javë që kur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) njoftoi për orarin e ndeshjeve të para të edicionit të ri të Superligës në futboll. Ndeshja Prishtina – Gjilani ishte caktuar të luhej të hënën nga ora 19:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dhe gjithçka ishte bërë gati që ndeshja të zhvillohej.
Por ndeshja u anulua të hënën, vetëm pak orë para se ajo të niste. Vendimin për të shtyrë ndeshjen zyrtarisht e mori Komisioni i Garave i Superligës, por që të dielën mbrëma Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte njoftuar palët e përfshira se ndeshja nuk do të mundë të luhej në “Fadil Vokrri”, shkruan sot Koha Ditore.
MKRS-ja me mjete të buxhetit të vendit ka financuar me nëntë milionë euro rinovimin e stadiumit në Prishtinë, që tani njihet me emrin e legjendës së futbollit kosovar.
Nga MKRS-ja nuk është bërë e ditur që ka ndonjë vendim në letër për të mos lejuar zhvillimin e takimit, ndërsa njoftimin e palëve se ndeshja nuk mund të luhet nga Ministria e kanë arsyetuar me faktin që nuk është bërë pranimi teknik i punëve të bëra në stadium nga punëkryesi, “Al-Trade”.