Një vrasje e mistershme ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Pejës. Kenan Sadrijaj 29-vjeç është gjetur pa shenja jete brenda në veturë. Dyshohet se ai u vra me armë zjarri dhe të paktën katër plumba janë shkrepur në drejtim të tij. Edhe pse janë bërë më shumë se 12 orë nga vrasja që tronditi Pejën, policia ende nuk ka arrestuar asnjë person.
Për babanë e katër fëmijëve, Kenan Sadriajn, fqinjët e lagjes “7 shtatori” në Pejë ku edhe i ndjeri e kishte shtëpinë, thuhen vetëm fjalë të mira.
Motivet që e çuan drejt vdekjes 29-vjeçarin nuk e dinë as familjarët e tij. Për shkak të gjendjes së rëndë ata nuk kanë qenë të gatshëm të flasin.
“Janë familje shumë e mirë, ju kanë ndihmu shumë njerëzve e kurrë kurrkujt keq s’i ka bo”, tha një fqinj i tij për Gazetën Express.
Mësohet se 29-vjeçari kishte në pronësi një mishtore dhe me mish u ndihmonte njerëzve në nevojë.
Sidoqoftë vrasja e tij ndodhi mbrëmë në orën 21:20 në rrugën “Qerim Muriqi” në Pejë. Viktima është gjetur pa shenja jete brenda në një veturë dhe dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
“Njësitë relevante kanë dalë në vend të ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se viktima nuk ka shenja jete. Si prova materiale në vend të ngjarjes, janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja”, ka njoftuar Policia.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, përderisa njësitet policore janë duke hetuar rastin. Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.