Shqipëria nuk ka asnjë ndërmarrje mes 100 kompanive më të mëdha për nga xhiroja në Europën Juglindore. Në publikimin vjetor të SEE News, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë vendet që nuk kanë një kompani ndër 100 të parat. Kjo mund të shpjegohet kryesisht me përmasat më të vogla të tregjeve, por jo vetëm.
Në vendin e 17 në renditje përfshihet edhe Johnson Matthey, kompani e industrisë kimike e vendosur në Maqedoninë e Veriut. Ky shembull dëshmon se prania e kompanive të mëdha nuk lidhet ekskluzivisht me përmasat e tregut, por edhe me një klimë tërheqëse për investimet e huaja.
Në këtë drejtim, Shqipëria ngelet shumë prapa vendeve të rajonit, për shkak të korrupsionit dhe taksave më të larta, mungesës së stabilitetit politik, problemeve me shtetin e të drejtës, por edhe për shkak të mungesës së skemave efikase incentivuese. Me gjithë përpjekjet që zgjasin prej më shumë se një dekade, Shqipëria nuk arritur ende sot të krijojë një zonë të lirë ekonomike. Incentiva të këtij lloji dhe krahu më i lirë i punës kanë tërhequr mjaft kompani të rëndësishme të hapin impiante prodhimi në vendet e rajonit.
Tre kompanitë më të mëdha për nga xhiroja në Europë Juglindore në vitin 2020 ishin të treja rumune. Më e madhja ishte Dacia, në sektorin e prodhimit të automjeteve, me 5.2 miliardë euro xhiro, e ndjekur nga OMV Petrom me 4.65 miliardë euro dhe OMV Marketing, me rreth 4 miliardë euro, të dyja këto të fundit në sektorin e karburanteve. OMV Petrom ishte kompania me fitimin më të madh në rajon, në vlerën e 746 milionë eurove.
Kompania më e madhe shqiptare për nga xhiroja vitin e kaluar ishte Kastrati, me një qarkullim vjetor prej rreth 535 milionë euro, rreth 55 milionë euro më pak se vendi i 100-të në renditjen e SEE News.
Për sa i takon sektorëve strategjikë të ekonomisë, Shqipëria ka një prani të konsiderueshme në listën e 100 aktorëve më të mëdhenj në sektorin bankar, me tetë prej bankave të pranishme. Në renditjen sipas totalit të aseteve, BKT renditet në vendin e 28-në rajon, duke humbur tre pozicione krahasuar me vitin e kaluar. Vijon Raiffeisen Bank në vendin e 47-të, edhe ajo në rënie me tre pozicione dhe Credins Bank në vendin e 50-të, njëlloj si në vitin 2018. Bankat e tjera shqiptare në Top 100 e SEE Neës janë Intesa Sanpaolo në vendin e 58-të, OTP Bank Albania në vendin e 90-të, Alpha Bank Albania në vendin e 93-të, Tirana Bank në vendin e 97-të dhe banka Amerikane e Investimeve në vendin e 99-të.
Në sektorin e sigurimeve, renditja është bërë sipas primeve të shkruara bruto dhe prania e kompanive shqiptare fillon në gjysmën e dytë të listës. Sigal Uniqa Group Austria renditet në vendin e 51-të, në rritje me dy vende krahasuar me vitin 2018. Vijon Albsig në vendin e 76-të dhe Eurosig në vendin e 78-të. Vijojnë ky kompanitë e Vienna Insurance Group, SIVIG dhe Intersig, në vendin e 80-të dhe të 88. Prania modeste e siguruesve shqiptarë lidhet me zhvillimin e dobët të tregut të sigurimeve në Shqipëri. Vitin e kaluar, Shqipëria gjeneroi vetëm 50 euro prime sigurimi për frymë.
Sipas raportit të See News, kompanitë në Europën Juglindore regjistruan rritje të dobët të shitjeve në vitin 2019, të ndikuara kryesisht nga performanca e dobët e ekonomisë së Bashkimit Europian, çmimet e ulëta të naftës dhe lufta tregtare mes SHBA dhe Kinës. Ndikimi negativ i këtyre faktorëve, sidoqoftë, u kompensua nga një rritje ekonomike mesatare me 3.5%, e mbështetur nga konsumi dhe shtimi i të ardhurave, ndërsa rajoni hodhi hapa të mëtejshëm në integrimin me BE.
Sektori bankar ishte shumë likuid dhe raporti i kredive me probleme vijoi rënien. Infrastruktura në rajon vazhdoi përmirësimin, e mbështetur nga fondet e BE-së dhe nga financimet ndërkombëtare. Kina ishte sërish një investitor i rëndësishëm, kryesisht në infrastrukturën e Serbisë dhe Malit të Zi, duke shtuar shqetësimet për rritjen e ndikimit politik kinez, nivelet e larta të borxhit publik të vendeve të rajonit, varësinë e lartë nga furnitorët kinezë dhe vëmendjen e ulët për çështjet e mjedisit. Në një hap drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord për krijimin e një zone të tregtisë së lirë në rajon. Nga ana tjetër, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ngelën të tendosura, pas vendimit të qeverisë kosovare për të vendosur taksa doganore në masën 100% për mallrat e prodhuara në Serbi dhe Bosnje./ Monitor