Asnjë Zot nuk ushqehet me gjak njeriu

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 20:18 | Nga Nezir Kraki

E kam thënë më herët se injoranca është armiku ynë më i madh në këtë shekull.

Është e patolerueshme dhe e gërditshme urrejtja e shprehur publikisht ndaj ambasadorit të Kosovës në Francë nga individë që e kanë gabuar edhe kalendarin edhe vendin. Linçimet e tilla që gjejnë jehonë në kafkat pa neurone aktive, shpesh çojnë në tragjedi. Andaj ndalni kërcënimet « profetike » se as profeti Muhamed dhe as islami nuk kanë nevojë për injorancën si mburojë. Dhe, cili është ai person që do ndihej mirë pranë një zoti që ushqehet me gjak njeriu?!

Linçimi nga Injoranca ia mori jetën një profesori historie këtu në Francë sepse ai kishte bërë një krim: kishte folë me nxënësit e tij për lirinë e shprehjes si vlerë demokratike dhe si ilustrim (jo si propagande) në ligjeratën e tij i kishte treguar karikaturat e profetit Muhamed, te botuara nga Charlie Hebdo. Merreni me mend, në vendin e lirisë së shprehjes, shprehja e lirë të kushton me jetë sepse një injorant i pacipë, i shtyer nga disa islamistë radikalë që e turpërojnë çdo musliman të devotshëm, ka menduar se Zoti i tij kishte nevojë për kokën e prerë të një prindi, të një mësuesi.

Si mësimdhënës në Francë, si shqiptar i besimit islam dhe si mbrojtës i lirive dhe i barazisë mes individëve, solidarizohem me profesorin Samuel Paty si martir i fjalës së lirë dhe i refuzoj me përçmim krejt kohortat që e shohin fenë si sheruese të frustrimeve të tyre. Islami nuk vuan nga islamofobia por nga nga islamoinjoranca.

Andaj STOP!
Ndaluni sepse esenca e kësaj çeshtje nuk është vizatimi satirik i figures se profetit të vdekur por dhunimi sistematik i dinjitetit të të gjallëve me pretendimin se po mbrohet profeti.

Këshilli francez i kultit musliman dhe Xhamia e Madhe e Parisit janë distancuar nga barbaria e asaj dite dhe janë solidarizuar me profesorin Paty. Sepse, edhe rektori i xhamisë madhe këtu e di që liria e shprehjes dhe e mendimit është po aq e shtrejtë sa liria e besimit.

ASNJE, degjoni mire, ASNJE imam apo musliman i vërtetë nuk mund ta pranojë barbarinë në shekullin 21. Në të gjitha fetë ka injorancë dhe obskurantizem por secili nga ne duhet t’i rikujtojmë parimet paqësore të tyre e jo t’i bëhemi bisht një grupi që jetën mbi Tokë e sheh si bixhoz për ta fituar jeten në Qiell.

E di që ky shkrim s’do kuptohet por një gjë dijeni:
PA LIRINE E FJALES S’KA AS LIRI T’BESIMIT!
Besimi pa liri është veç indoktrinim i dhunshëm i cili çon në mizerje mendore dhe në tragjedi njerëzore.

Zoti na paftë!


P.s. Ne ligjeraten e tij profesori i kishte lejuar ta lejonin sallen nxenesit qe do prekeshin nga shembulli i tij, nga karikatura dmth. Ai nuk ishte ne logjike ofendimi ndaj islamit por ne proces mesimi dhe sot mesimet behen me shembuj konkretë. Edhe nje imam mund ta tregoje karikaturen e profetit nese ka qellime pedagogjike per te sqaru diçka apo transmetu nje mesazh.
BIK ne Kosove nuk mund te kete pozicion me radikal sesa Keshilli islam i Frances, prandaj ndalne turrin pak e merruni me « profetet » qe po blejne arin e tokes me 1 euro.

Të ngjashme