Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Klan Kosova ka siguruar dokumentin me pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje ku shihet se pika e dytë e saj është “Informatë rreth Propozimit për Mekanizmin Punues për Asocacionin e Komunave me Shumicë serbe në Kosovë”.
Gjatë javës së shkuar, presidenti Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin, Ramush Haradinaj kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave Serbe.
Draftimi i statutit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbëhet nga tre mekanizma punues: Ekipi menaxhues, Komiteti zbatues si dhe Grupi nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë.
Në këtë proces pritet të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike.
Drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.