Zyra e Bashkimit Evropian nuk e ka përmendur specifikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese kur është pyetur rreth dokumenteve që do të jenë udhërrëfyes gjatë draftimit të statutit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Në përgjigjet dërguar gazetës, kjo zyrë i është referuar “kornizës ligjore” të Kosovës si dhe Marrëveshjes së gushtit të vitit 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, në të cilën Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje në të shtatë kapitujt e saj, shkruan sot Koha Ditore.
“Asociacioni/Bashkësia do të themelohet brenda kornizës ligjore të Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe elementeve/parimeve kryesore të përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të arritura ndërmjet palëve në gusht 2015”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së, e cila udhëhiqet nga Natalia Apostolova. “Kosova i ka dhënë mandat Ekipit Menaxhues për të hartuar statutin e Asociacionit/Bashkësisë. Puna e tyre është duke vazhduar…Bashkimi Evropian pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja të zbatohen pa vonesa të mëtejshme, në veçanti Marrëveshja për Asociacionin/Bashkësinë dhe Energjinë”.