Në Astana të Kazakistanit ka nisur raundi i ri i bisedimeve për paqe në Siri. Këto bisedime po sponsorizohen nga Irani, Rusia dhe Turqia.
Ministrja e Jashtme kazake ka thënë se përfaqësuesit e regjimit sirian dhe delegacioni i opozitës siriane, kanë arritur në Astana, ku do të zhvillojnë takime dy-ditore.
Pas bisedimeve me ekipin e Kombeve të Bashkuara, opozita siriane ka thënë se është më e rëndësishme “se kurrë më parë” që Rusia të shtyjë Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, drejt arritjes së një marrëveshjeje politike.
Në ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve në Siri, SANA, ka raportuar se delegacioni rus, ka zhvilluar takime të ndara me delegacionet e Iranit dhe Turqisë.
Mbi 330 mijë persona janë vrarë në Siri dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, që prej se konflikti në Siri nisi në mars të vitit 2011.
Rusia dhe Irani mbështesin Qeverinë e Assadit, ndërkaq Shtetet e Bashkuara dhe Turqia përkrahin grupe të ndryshme rebele.
Bisedimet në Astana janë zhvilluar në mënyrë paralele me bisedimet e paqes në Gjenevë, që sponsorizohen nga OKB-ja.