Vetëm në vitin 2017 nga Ligji për faljen e borxheve kanë përfituar 2280 tatimpagues, ndërsa janë arkëtuar 2.7 milionë euro në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), raporton Ekonomia Online.
Për këtë vit planifikohet që të arkëtohen edhe 10 milionë euro. Në vitin 2016 janë falur 216 milionë euro borxhe, ku për vitet 2015 dhe 2016 në ATK u inkasuan 24.2 milion euro.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri.
“Janë falur 216 milion euro borxhe ndërsa janë inkasuar për periudhën 2015-2016 nga ky ligj 24.2 milionë euro, kanë qenë parashikimet për përfitim prej këtij ligji diku 10 milionë euro në vitin 2016 ndërsa arkëtimi ka qenë 24.2 milionë euro që do të thotë ky ligj ka qenë i dobishëm edhe për tatimpaguesit edhe për ATK-në. Këtë vit ligji nuk ka pasur mundësi të ketë edhe pritjet çfarë i ka pasur në vitin 2016 dhe deri më tani e kanë shfrytëzuar 2280 tatimpagues dhe kemi arritur që të pastrojmë listat afërsisht për 20 milionë euro dhe kemi arritur që të arkëtojmë 2.7 milionë”, tha Imeri, raporton EO.
Imeri ka thënë se ky institucion e ka shfrytëzuar këtë ligj si përparësi për të pastruar listat e tatimpaguesve, posaçërisht të atyre me borxhe të vjetra.
“Administrata Tatimore e ka shfrytëzuar këtë ligj si përparësi për të pastruar listat e tatimpaguesve posaçërisht nga borxhet e vjetra për të cilat edhe fuqia e ATK-së thuajse ka qenë e pamundur që të zhvillohen procedura në arkëtimin e atyre borxheve”, theksoi Imeri.
Ai e ka konsideruar si të panevojshme shtyrjen e kohëzgjatjes së fuqisë së këtij ligji.
“Unë konsideroj se ka qenë periudhë e mjaftueshme edhe për institucionet por edhe për qytetarët dhe tatimpaguesit që të përfitojnë nga ky ligj. Interesimi më i madh ka qenë në vitin 2016 sepse askush nuk e ka parashikuar që ky ligj mund të vazhdohet”, tha Imeri, raporton EO.
Ligji për faljen e borxheve publike ka hyr në fuqi më 2 shtator të vitit 2015 deri më 1 shtator të vitit 2016, ku pas përfundimit të mandatit i njëjti ka hyrë në fuqi me 1 janar të vitit 2017 deri më 31 gusht të këtij viti.