Administrata Tatimore e Kosovës është duke vazhduar me përkushtim monitorimin e çdo subjekti të lojërave të fatit, të cilat janë duke zhvilluar këtë veprimtari të jashtëligjshme.
Gjatë aksionit të zhvilluar me datë 27 mars 2017, në fokus ishin disa pika të subjekteve të lojërave të fatit në qytetin e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Lipjanit.
Në këtë aksion janë vizituar 9 lokale me veprimtari të ndryshme, si bastore dhe automate, ku prej tyre 7 lokale janë mbyllur për shkak të parregullsive që janë konstatuar, si dhe janë konfiskuar 2 automate, 2 pajise të garave me qen dhe 2 pajisje për lojëra KENO.
Si rezultat i këtij aksioni janë lëshuar 10 gjoba në vlerë 26,000 euro. Ky aksion është mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.
Administrata Tatimore e Kosovës i bën thirrje të gjitha bizneseve që ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit, të respektojnë ligjin, pasi që në të kundërtën do të merren masat konform dispozitave ligjore.
ATK, në mënyrë që të jetë edhe më e suksesshme në zbatim e ligjit, mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit. Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal, t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800.