Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ndonëse po arrin të grumbullojë miliona euro në vit nga tatimpaguesit, ky institucion që mbush arkën e shtetit, qasjen në veri po vazhdon ta ketë jo komode.
ATK është e shtrirë në dhjetë regjione dhe një drejtori të tatim paguesve të madhej, në mesin e këtyre regjioneve është edhe ai i Mitrovicës, ku përfshihen edhe komunat veriore të populluara me shumicë serbe.
Drejtori i ATK-së Sakip Imeri, në një intervistë për Ekonomia Online, pohon se në veriun e Mitrovicës aktivitetet janë më të kufizuara.
“Qasjen atje nuk e kemi shumë komod qysh e kemi edhe në regjionet tjera, por kemi inspektorë të komunitetit serb të cilët e kanë qasjen edhe më të lehtë janë të autorizuar që të kryejnë aktivitetin, inspektime, vëzhgime dhe përkundër vështirësive që i kemi ne arrijmë që të kryejmë aktivitete dhe të kemi të hyra prej bizneseve të asaj pjese. Është pjesë që edhe për shkaqe të sigurisë së aktiviteteve janë më të kufizuara por deklarimi i tyre është normal sikurse tjerë, veprojnë të gjitha bizneset që janë të regjistruara me numër fiskal, nuk ka biznese që veprojnë në formë tjetër, kryejnë importe prej asaj pjese kryejnë aktivitete që janë kontribut i edhe i tyre në të hyrat e shtetit”, u shpreh Imeri.
Sipas Imerit, në të hyrat regjionit të Mitrovicës, katër komunat me komunitet serb, marrin pjesë me rreth 14.7 për qind të të hyrave, ku përfshihen rreth 13 – 14 për qind e bizneseve.
Drejtori i ATK-së, thotë se kanë pasur aktivitete edhe në pjesën veriore, por sipas tij, kur vlerësohet se siguria mund të jetë në rrezik, zyrtarët e ATK-së kanë mbështetje nga Policia e Kosovës.
Sfidë tjetër për ATK-në, sipas Imerit është edhe sektori i lojërave të fatit. Sipas tij, janë diku 30 biznese që merren me veprimtarinë e lojërave të fatit, për të cilat aktivitetet e ATK-së nuk kanë munguar.
“Janë zhvilluar 1379 aktivitete për periudhën janar nëntor të vitit 2018. Prej tyre ne kemi lokale të mbyllura 256 ku janë konstatuar se nuk kanë licencë dhe janë në kundër shtim me ligjin dhe të gjitha janë proceduar më tutje për vlerësime dhe çështje penale, aty ku ka shkelje penale. 24 janë licenca të revokuara ndërsa vlera e borxheve që është konstatuar nga këto aktivitete është 1.6 milionë euro, që kryesisht janë gjoba administrative, ose shkelje ligjore. Është një dukuri për të hapë biznese aty ku fuqia e ATK-së ose mundësia e marrjes së informatave është me e mangët, veprojnë në mënyrë ilegale. Me të marrë informatën ne veprojnë i mbyllin”, tha Imeri.
Imeri për Ekonomia Online, nuk e ka përjashtuar mundësinë që veprimtaritë e lojërave të fatit ta vërshojnë Kosovën, pas mbylljes së tyre në shtetin e Shqipërisë.
“Ne jemi duke i ndërmarrë masat që kjo të mos ndodhë, por nuk përjashtohet mundësia që të kemi aktivitete më shumë të lojërave të fatit, të dy palëve edhe atyre që tentojnë ti hapin por edhe fuqizimi i kapaciteteve tona që kjo të mos lejohet të ndodhë në mënyrë të palicencuar. Përndryshe si të licencuara janë plotësisht ligjore dhe krijojnë të hyra për ATK-në, ku dikund janë mbi 10 milionë euro vetëm për këtë industri që krijojnë”, pohoi Imeri.
Administrata Tatimore e Kosovës vitin 2018 po e përmbyllë me rekord të të hyrave në këtë institucion. Sipas planifikimeve të ATK-së për grumbullimin e të hyrave, janë arritur 98 për qind e tyre në 11 muajt e vitit 2018.
“Viti po përmbyllet me një rekord në të hyrat e administratës tatimore, për çka jemi edhe përgjegjës, që aktualisht me të hyra jemi 98 për qind ende pa përfunduar vitit. Vetëm në 11 muajt e këtij viti ne kemi nga 446 milionë euro të planifikuara kemi realizuar 422 milionë euro, ose në përqindje është dikund 10.7 për qind se viti i kaluar dhe 2.6 për qind më shumë se plani”, tha Imeri.
Sa i përket përgjegjësisë që ka ATK për administrimin e kontributeve pensionale, drejtori i ATK-së, thotë se ka pasur rritje të numrit të të punësuarve, ku nga kontributet janë grumbulluar për 11 muaj janë arkëtuar 148.3 milionë euro, që i bie 3.5 milionë më shumë se në vitin 2017.
Ndonëse shumë të hyra, këto sipas Imerit nuk janë paralel me rritjen ekonomike në Kosovë.
“Nëse e krahasojmë rritjen ekonomike dhe rritjen e të hyrave në këto institucione në administratën tatimore shohim se nuk janë rritje paralel me rritjen ekonomike. Rritja ekonomike vlerësohet të jetë dikund 4.5 për qind ndërsa rritja e të hyrave në raport me vitin e kaluar është 10.7 për qind. Rezultat i kësaj rritje është ajo që dëshiroj edhe t’i vlerësoj tatimpaguesit. Është një vetëdije më e mirë e tatim paguesve, përmbushje vullnetare të tatimeve që është edhe mision i ATK-së”, tha Imeri për EO.
Imeri thotë se janë 300 milionë euro stok i borxheve të pa paguara nga bizneset, të cilët numërohen të jenë mbi 20 mijë.
“Aktualisht stoku i borxheve por edhe borxhet e vjetra që nuk mund të mblidhen edhe borxhet e reja për të cilat ne veç jemi duke i zhvilluar procedurat e kalon shifrën 300 milionë euro dhe janë mbi 20 mijë tatimpagues që ne kemi zhvilluar aktivitete dhe kemi fuqi ligjore që ti arkëtojmë këto borxhe. Këtë vit kemi pasur përparim të mirë në administrimin e borxheve, kemi argëtuar deri më tani rreth 50 milionë nga mbledhja e borxheve apo ne e quajmë nga sektori i mbledhjes së detyrueshme”, u shpreh Imeri.
Sa i përket rimbursimit të qytetarëve për kuponët fiskal, ATK u ka kthyer qytetarëve 29 milion euro.
“Ne formën e vjetër janë mbi 28 milionë euro ndërsa 1 milion euro janë në formën e re të rimbursimit. numri tash është dukshëm më i vogël i atyre që përfitojnë nga kjo por përfitimi është më i madh ku deri në 100 euro mund të fitohen në bazë të përzgjedhjes që mund të bëhen. Janë 9950 qytetarë që janë shpërblyer me rreth 1 milion euro, shpërblim ose rimbursim të kuponëve fiskal”, tha Imeri.
Përndryshe për të gjitha aktivitetet e Administratës Tatimore të Kosovës, janë rreth 300 inspektorë, ku 75 prej tyre janë të fokusuar në mbi 70 për qind të të hyrave ndërsa pjesa tjetër janë të orientuar në tërë Kosovës në të gjitha aktivitetet afariste që ndikojnë dhe që vlerësohet që ka rrezik.
Për drejtorin e ATK-së, Sakip Imeri, numri i inspektorëve është i kufizuar, por në suaza të këtij kapacitetit që ka ATK, janë zhvilluar edhe module të veçanta të analizës së rrezikut që të ketë orientim më shumë aty ku shmangie tatimore.