Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri po qëndron për vizitë zyrtare në Zagreb të Kroacisë, ku sot është takuar me zv.ministrin e Financave, njëkohësisht Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve të Kroacisë, Zdravko Zrinušić.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm në mes dy administratave tatimore, si dhe vazhdimin e këtij bashkëpunimi përmes këmbimit të përvojave duke mundësuar ngritjen e kapaciteteve në fusha të veçanta si: platforma digjitale e fiskalizimit dhe sistemi i monitorimit online të Lojërave të Fatit, transferi i çmimeve, trajtimi i borxheve të këqija dhe fondit rezervë të institucioneve bankare.
Dy palët u dakorduan që ky takim të shoqërohet me nënshkrimin e një marrëveshje të bashkëpunimit në mes dy institucioneve.
Pas këtij takimi Imeri vizitoi Ambasadën e Kosovës në Kroaci, ku u prit nga ambasadori Uliks Emra.