Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar raportin për zhvillimet në periudhën Janar – Qershor të këtij viti.
Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri tha se ky gjashtëmujor është përmbyllur në një formë mjaft të mirë.
Ai tha se për këtë periudhë kohore kanë arritur të krijojnë të hyra rreth 193 mln euro, raporton Ekonomia Online.
“Kemi përmbyllur këtë gjashtë mujor në një formë të mirë. Për periudhë janar qershor të këtij viti të hyrat janë 192 907 088 ose rreth 193 milionë euro, në raport me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar janë inkasuar 8.79 për qind më shumë. Të hyrat nga TVSh janë 85.6 milionë euro”, ka thënë ai.
Ai konsideron se është një trend jashtëzakonisht i mirë edhe sa i përket implementimit të Ligjit për Faljen e Borxheve.
“Me intensitet të shtuar është duke u punuar në ligjin për faljen e borxheve i cili është në fuqi deri më 31 gusht të këtij viti. Nga ligji për faljen e borxheve kanë përfituar 1.672 biznese”, ka thënë ai.
Imeri bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe janë fiskalizuar 1018 biznese, ndërsa ka përmendur si të arritur edhe digjitalizimin e librit të blerjes dhe shitjes.
Ai tha se ATK-ja ka intensifikuar bashkëpunimin me FMN-në dhe KE-në, ndërsa është zgjeruar bashkëpunimi me institucione të tjera.
Po ashtu, u shpalos edhe forma e re e rimbursimit nga kuponët fiskalë, e cila është e përcaktuar me Udhëzimin e ri Administrativ MF-NR 01/2017, i cili ka hyrë në fuqi nga data 1 korrik 2017.
Ky udhëzim administrativ përcakton formën e aplikimit përmes të njëjtës vegël elektronike përmes web faqes së ATK-së, ndryshon vetëm forma dhe kriteret e rimbursimit. Plikoja duhet të ketë minimum 60 kuponë fiskalë dhe mbi 250 € vlerë monetare. Plikot ruhen nga qytetarët, dhe pas përzgjedhjes së fituesve, e cila bëhet nga sistemi elektronik, në mënyrë publike, atëherë sillen në Zyrat e ATK-së për rimbursimin e fituesve potencial.
Imeri u bëri thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e kësaj kampanje pasi që rimbursimi-shpërblimi është 10 % e vlerës së kuponëve fiskalë të plikos me një maksimum 100 €.