Administrata Tatimore e Kosovës, mbajti seminarin me tatimpaguesit e rajonit të Prishtinës rreth deklarimit vjetor dhe pasqyrave financiare, ngarkesës së kundërt të TVSh-së për furnizimin e shërbimeve në ndërtimtari etj.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, me këtë rast bëri të ditur se ky institucion po e përmbyll 17-vjetorin e themelimit me 4.6 miliardë euro të hyra, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, ky sukses erdhi si rezultat i bashkëpunimit të madh që kanë pasur me tatimpaguesit.
“Gjatë këtyre 17 viteve ne kemi arritur që të administrojmë mbi 4 miliard euro, nga të cilat 3 miliard janë tatime dhe mbi 1 miliard kontribute pensionale. Të gjitha këto të hyra janë rezultat i juaji. Gjatë kontakteve me tatimpaguesit ne kemi marrë shumë reagime posaçërisht në trajtimin e kërkesave tuaja për rimbursim dhe në kohëzgjatjen e kontrollit”, tha ai.
“Unë kam një kërkesë publike për ju, sot kemi shumë kanale të komunikimit, kemi shumë mundësi që ju të ndikoni në përmirësimin e shërbimeve që ne ofrojmë, dhe ju them që të shfrytëzoni të gjitha kanalet që të adresoni shqetësimet tuaja në mënyrë që edhe ne të rrisim efikasitetin”, theksoi Imeri.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se ATK-ja ka kontribuar që politikat fiskale dhe programi i qeverisë të realizohet.
“Krejt kjo është rezultat i bashkëpunimit që kemi ndërtuar më tatimpaguesit dhe institucionet të tjera përkatëse. Çdo ndryshim dhe çdo politikë e re fiskale është bërë në bashkëpunim me përfaqësuesit e bizneseve dhe me qytetarët. Pakoja e re Fiskale që është bërë në bashkëpunim me bizneset edhe përfaqësuesit tuaj, kjo ka bërë që në kuadër të këtij bashkëpunimi ATK të arrij sukses. Këto politika do të sjellin përfitime për bizneset dhe në përgjithësi në zhvillimin ekonomik të shtetit”, ka thënë Krasniqi.
Qëllimi i mbajtjes së këtij seminari ishte informimi i tatimpaguesve për deklarimin vjetor dhe pasqyrat financiare, mënyrën e aplikimit të ngarkesës së kundërt të TVSh-së për furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit, brenda vendit (sipas udhëzimit të ri Administrativ nr. 06/2016), si dhe për mënyrën e raportimit të Librit të Blerjes dhe Librit të Shitjes, përmes Sistemit Elektronik – EDI.
Drejtoria për Edukim dhe Shërbim të Tatimpaguesve ka realizuar seminare edhe në regjionin e Gjilanit, Gjakovës dhe Pejës. Ndërsa, në ditët në vijim do të mbajt seminar edhe në regjionin e Prizrenit, Mitrovicës, Ferizajt si dhe të njëjtin seminar do ta përsëritet edhe njëherë për regjionin e Prishtinës, për arsyeje të numrit të madh të pjesëmarrësve.
Pjesëmarrësit u njoftuan gjerësisht për mënyrën e deklartimit vjetor, pasqyrën financiare, aplikimit të ngarkesës së kundërt për TVSh brenda vendit, me ç ‘rast janë pasqyruar edhe shembujt praktik për plotësimin e drejtë të deklaratës tatimore për TVSh. Gjithashtu, edhe për mënyrën e raportimit të Librit të Blerjes dhe Librit të Shitjes, përmes Sistemit Elektronik – EDI, i cili është prezentuar online nga sistemi elektronik.