Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka larguar nga puna dy zyrtarë, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Lidhur me këtë rast ATK-ja përmes një komunikate të lëshuar për media nuk njofton për detaje tjera rreth largimit të këtyre dy zyrtarëve.
Siç theksohet në njoftimin për media, Strategjia e ATK-së kundër korrupsionit është të kontribuojë në reduktimin progresiv dhe të qëndrueshëm të dukurive korruptive, me qëllim të forcimit të integritetit dhe rritjes së besimit të qytetarëve në Administratën Tatimore të Kosovës.
Administrata Tatimore gjatë vitit të fundit në bashkëpunim me institucionet tjera të zbatimit të ligjit, ka ndërmarrë një varg aktivitetesh për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative, përmes: trajnimeve adekuate, parandalimin e konfliktit të interesit, implementimin e planit të veprimit kundër korrupsionit 2013-2017, lëvizjeve të stafit në pozita ekuivalente, analizën e deklaratave të pasurisë, etj.
Nga të gjitha këto veprime ka arrit që të identifikojë shkelje ligjore dhe si rezultat brenda një viti ka larguar nga puna gjashtë (6) zyrtarë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ka shqiptuar një numër konsiderueshëm të masave tjera disiplinore.
Vlen te theksohet se si rezultat i veprimeve konkrete të luftimit të korrupsionit në bashkëpunim me organet kompetente bazuar në raportin e pulsit të UNDP-së të datës 30.05.2016, ATK-ja vazhdon të jetë një ndër katër institucionet me perceptimin më të ulët për korrupsion.