Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, ka mbajtur takimin e rregull konsultativ për gjashtëmujorin e vitit, me palët e interesit.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, përfaqësues nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, Fondi Pensional, Shoqata e Bankave, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Oda Ekonomike Amerikane, Oda Ekonomike Turke.
Qëllimi i takimit ishte që përfaqësuesit e bizneseve të njoftohen për së afërmi me të arriturat e deritanishme dhe reformat, të cilat janë duke u bërë në Administratën Tatimore, në mënyrë që tatimpaguesit të kenë trajtim të barabartë mbështetur në Legjislacionin Tatimor të Kosovës.
“Ne çdoherë do të kemi në plan të parë tatimpaguesin, ofrimin e shërbimeve kualitative në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë përmbushjen e obligimeve tatimore, ku deri më tani konsiderojmë se kemi punuar me të gjitha kapacitetet në ofrimin e një infrastrukture në përkrahje për përmbushjen tatimore, si dhe shumë projekte tjera të cilat kanë ndikuar mjaft shumë në rritjen e nivelit të të hyrave, në mënyrë vullnetare nga ana e tatimpaguesve” theksoj drejtori Imeri.
E nga ana tjetër, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se dikasteri që ajo drejton vazhdon të ketë bashkëpunim të ngushtë me ATK-në, në mënyrë që ekonomisë jo-formale t’i ngushtohen rrugët sa më shumë që është e mundur.
Ndërsa, gjatë takimit, pjesëmarrësit-palët e interesit, kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje në të gjitha projektet të cilat janë në interes të tatimpaguesve. Ata po ashtu, theksuan se ngritja e kapaciteteve vepruese, rritja e shërbimeve kualitative ndaj tatimpaguesve nga ATK-ja, dhe bashkëpunimi me institucionet tjera, janë duke treguar trende pozitive.
Gjatë këtij takimi, u prezantuan të arriturat e ATK-së gjatë periudhës Janar-Maj 2016. ATK, gjithashtu, i falënderon të gjithë tatimpaguesit të cilët i kryejnë me kohë obligimet tatimore dhe njëkohësisht inkurajon tatimpaguesit që t’i deklarojnë dhe paguajnë tatimet që janë të përcaktuara me ligj.