Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rimbursuar 11 milionë euro për qytetarët përmes projektit “Rimbursimi i mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal”.
Këtë e bëri të ditur drejtori i përgjithshëm i ATK-së gjatë një konference për media me temën “Raportimi i faljes së borxheve, aktivitete shtesë në terren dhe të hyrat janar-gusht 2016”, raporton Ekonomia Online.
“Procesi i rimbursimit është ndoshta procesi i më i mirë për krijimin e një partneriteti të Qeverisë me konsumatorin. Përmes një neni që i nxit konsumatorët të marrin kuponët fiskalë kemi arritur që deri më tani t’i rimbursojmë qytetarët me mbi 11 milionë euro të hyra që kanë shkuar në shportën e qytetarit. Është një rritje e konsumit dhe në mënyrë indirekte është edhe rritje të hyrave në Administratën Tatimore”, ka thënë drejtori Sakip Imeri.
Sipas zyrtarëve të ATK-së, projekti tashmë i titulluar “Rimbursimi i mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal”, ka për qëllim vetëdijesimin e të gjithë qytetarëve që të pajisen me kuponë fiskalë, si një nga mënyrat të cilët individualisht ndihmojnë në zhvillimin e shtetit, si dhe përmes qytetarëve të ndihmohet fiskalizimi i bizneseve.
Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskalë dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:
Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 250 € deri në 500 €, do të rimbursohen në vlerën 10 €;
Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 501 € deri në 800 €, do të rimbursohen në vlerën 15 €;
Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 €.
Sipas zyrtarëve të ATK-së, ky projekt i grumbullimit të kuponëve fiskalë nga ana e qytetarëve ndihmon edhe në rënien e evazionit fiskal.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/ekonomi/hoti-muaji-gusht-te-hyra-rekorde/