Atletja iraniane kërkon falje publike pasi garoi pa hixhab jashtë Iranit

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Atletja dhe alpinistja iraniane, Elnaz Rekabi ka kërkuar falje pasi u shfaq pa hixhab teksa përfaqësonte vendin e saj në një turne ndërkombëtar të ngjitjes.

Ajo e ka bërë këtë gjest përmes një postimi në llogarinë e saj të Instagramit, ku numëron afro 250 mijë ndjekës, ndërsa ka thënë se ndihet keq për “shqetësimet e shkaktuara”, shkruan Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.

Rekabi shtou se mbulimi i kokës së saj ishte i paplanifikuar pasi ajo u thirr papritur për të garuar përpara afatit në finalet e kampionatit aziatik të sportit në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

Ajo kishte pushtuar titujt kryesorë të mediumeve iraniane, teksa u shfaq duke konkurruar me flokët e saj të zbuluar dhe të lidhur në një bisht me sa duket duke sfiduar rregullat e detyrueshme të Iranit për hixhabin prej dekadash.

Heqja e hixhabit është e paligjshme për gratë në Iran dhe dënohet me ligj.

Elnaz është vetëm sportistja e dytë femër iraniane që garon jashtë vendit duke mos iu përmbajtur rregullave të hixhabit të kërkuara nga shteti iranian.

Në vitin 2019, boksierja Sadaf Khadem konkurroi në Francë pa i mbuluar flokët apo trupin, por më pas mbeti atje mes spekulimeve se ajo mund të arrestohej pas kthimit.

Paraqitja e Rekabit vjen mes më shumë se një muaji protestash në të gjithë Iranin që shpërthyen pasi një grua e re vdiq në paraburgim nga policia.

Të ngjashme