FIFA ia ul dënimin Molinas, të cilin e mori pas përleshjes në finalen e Botërorit 2026

Prishtinë | 07 Nën 2026 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i krahut të Romës, Nahuel Molina, ka përfituar nga një vendim i ri i FIFA-s, e cila ia ka reduktuar dënimin për paraqitjet me kombëtaren e Argjentinës, pas ankesës së Federatës Argjentinase të Futbollit, në lidhje me përleshjen që ndodhi pas finales së Kupës së Botës 2026.

Fillimisht, Molina ishte dënuar me shtatë ndeshje pezullim, ndërsa bashkëlojtari i tij, ish-mesfushori i Romës dhe Juventusit, Leandro Paredes, ishte dënuar me 10 ndeshje për përfshirjen në përleshjen e ndodhur pas finales së Kupës së Botës gjatë verës.

Molina ishte gjobitur gjithashtu me 77 mijë dollarë, ndërsa Paredes me 90 mijë dollarë.

Pas ankesës së Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), FIFA ka vendosur që dënimi i Molinas të reduktohet nga shtatë në katër ndeshje, ndërsa gjoba e tij është ulur nga 77 mijë në 60 mijë dollarë.

Në anën tjetër, dënimi prej 10 ndeshjesh dhe gjoba prej 90 mijë dollarësh për Paredesin janë lënë në fuqi.

Molina tashmë i ka vuajtur tri ndeshje të pezullimit, pasi Argjentina zhvilloi tri miqësore ndaj Bolivisë, Burkina Fasos dhe Beninit në muajin tetor, pas finales së Kupës së Botës në korrik.

Ai nuk ishte pjesë e listës së kombëtares argjentinase të publikuar në fillim të kësaj jave për dy miqësoret e nëntorit ndaj Uruguait dhe Kosta Rikës.

Në këtë listë janë përfshirë shtatë futbollistë të tjerë që luajnë në Serie A, përfshirë tre bashkëlojtarë të Molinas te Roma: Leonardo Balerdi, Matias Soule dhe Santiago Castro.

Pjesë e listës janë gjithashtu dy futbollistët e Comos, Nico Paz dhe Maxi Perrone, si dhe Mariano Troilo i Parmës dhe Franco Mastantuono i Fiorentinës, GazetaExpress.

Të ngjashme