Para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave, ka raportuar Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani. Ai ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për futjen e punëdhënësve të këtij institucioni në kategorinë e shërbyesve civilë, pas miratimit të Ligjit për Shërbyesit Civil.
Si pasojë, Osmani ka thënë se prej hyrjes në fuqi të ligjit e kanë lëshuar punën katër auditorë.
“Jemi institucioni i vetëm që jemi degraduar, edhe me Ligjin për Shërbyesit Civil, edhe me Ligjin për Pagat. Ne nuk mund të hyjmë në kategorinë e shërbyesve civilë, për shkak se kështu preket pavarësia e institucionit. Për pasojë, nuk kemi mundur së fundi të anëtarësohemi në disa organizatave ndërkombëtare. Madje, ne këtë mënyrë kemi shënuar regres edhe karshi plotësimit të kritereve për MSA-në”, ka thënë ai, raporton Koha Ditore.
Këtë shqetësim, deputetët e kanë konsideruar tejet serioz. Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për lëshimet dhe dëmet që ia paska shkaktuar Auditorit Ligji për Shërbyesit Civil.
“Ne duhet ta marrim seriozisht këtë çështje. Po i kërkojmë Auditorit që shqetësimet e tij të na i përcjellë me shkrim ditëve në vijim. Pastaj, do të shohim se çfarë mund të bëjmë për ndryshimin e bazës ligjore”, ka thënë ai.