Qeveria Australiane ka ndryshuar një fjalë në himnin kombëtar për të njohur më mirë rolin, kulturën dhe historinë e popujve aborigjenë.
Fjalia e dytë e himnit “Young and Free” – “të rinj dhe të lirë” është zëvendësuar me fjalinë “ne jemi të bashkuar dhe të lirë”, tha kryeministri, Scott Morrison, transmeton Telegrafi.
“Australia është një komb relativisht i ri modern, por historia e vendit tonë është po aq e vjetër sa historia e popujve të parë, shpirtin e të cilëve ne e njohim dhe respektojmë”, pohoi kryeministri, raporton theguardian.
Ky modifikim “nuk heq asgjë, por besoj se me të vërtetë pasuron” kuptimin e tekstit, deklaroi Morrison.
Ndryshimi është përmendur tashmë për të njohur më mirë historinë aborigjene të Australisë, dhjetëra mijëra vjet të vjetra, por udhëheqësi konservator e njoftoi atë vetëm natën vonë të enjten, në prag të Vitit të Ri.
Historia koloniale e Australisë, me pabarazi të mëdha, është ende shumë e ndjeshme në një vend ku fëmijët aboriginal kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin para moshës pesë vjeçare se sa pjesa tjetër e popullsisë, sipas shifrave zyrtare.
Në fillim të këtij viti, protestat u zhvilluan në disa qytete të mëdha për viktimat aborigjene gjatë arrestimeve të policisë. Më shumë se 400 prej tyre kanë vdekur në këto rrethana në tridhjetë vitet e fundit.