Autoritetet australiane njoftuan të martën se është regjistruar rasti i dytë i një personi të diagnostikuar me mpiksje gjaku pas marrjes së vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”, por se nuk ka pasur shtim të anulimeve të vaksinimit.
Këtë javë, Australia u tërhoq nga synimi për vaksinimin e tërë popullsisë prej rreth 26 milionë banorësh deri në fund të vitit, pasi rregullatori evropian i ilaçeve raportoi raste të rralla të mpiksjes së gjakut te disa persona të vaksinuar, duke e lënë të hapur mundësinë që kjo gjendje të jetë shkaktuar nga vaksina.
Kjo i shtyri zyrtarët australianë që t’u rekomandojnë personave nën moshën 50-vjeçare që ta marrin vaksinën e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech” në vend të vaksinës së kompanisë “AstraZeneca”, duke e çuar programin e vaksinimit drejt rrëmujës, shkruan Reuters.
Ndërkohë autoritetet thanë se nuk kanë plane për ta shtuar vaksinën me një dozë të prodhuesit amerikan, “Johnson & Johnson”, në programin e vaksinimit, në kohën kur Australia po synon që të largohet nga vaksinat që janë në shqyrtim e sipër për shkaktim të mundshëm të mpiksjeve.
Programi i vaksinimit në Australi ka qenë shumë i varur në dozat e vaksinës së AstraZeneca-s, sepse plani ishte që të prodhohen 50 milionë doza të kësaj vaksine brenda vendit. Ndryshimi i politikës bëri që autoritetet javën e kaluar ta dyfishojnë numrin e dozave të porositura nga prodhuesi “Pfizer”, që fillimisht ishte 20 milionë.