Qeveria federale e Australisë ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes për të gjithë të huajt që vijnë nga Irani.
Ky vendim u mor pasi një person që kishte ardhur nga ky shtet në Australi u diagnostikua me koronavirusin Covid-19.
Besohet se e infektuara ka mundur ta përhapë virusin te 40 persona të tjerë pasi punon në një sallon bukurie, shkruan “Daily Mail”.
Ajo është vendosur në izolim dhe autoritetet kanë frikë se gruaja 63-vjeçare mund ta ketë përhapur virusin shkaku i kontaktit të afërt me klientët gjatë trajtimit të fytyrës.
Organet shëndetësore në Australi tash po mundohen t’i gjejnë klientët e saj dhe t’i testojnë ata për koronavirus në mënyrë që të parandalohet ndonjë përhapje më e madhe.
Qytetarët australianë që do të vijnë nga Irani së pari do të jenë të detyruar që të qëndrojnë të izoluar për dy javë për të parë nëse kanë ndonjë simptomë të virusit të ri.
Ministri australian i shëndetësisë, Greg Hunt, tha se ka gjasa që shumë persona të infektuar në Iran nuk janë zbuluar ende.