Austria mbështet Kosovën për anëtarësim në Interpol

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 14:46 | Nga

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bejtush Gashi, ka pritur sot një delegacion nga Austria, i udhëhequr nga zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë, znj. Karoline Edtstadler.

Ata, siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, biseduan lidhur me bashkëpunimin në mes të dy vendeve në ndërtimin e institucioneve të sigurisë, përfshirë bashkëpunimin policor dhe atë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Më këtë rast ministri Gashi vuri në dukje përkrahjen që ka dhënë shteti i Austrisë para luftës në misione diplomatike dhe me prezencën e saj pas luftës në shumë fusha, sidomos në fushën e sigurisë dhe në përkrahjen e vazhdueshme për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të sigurisë.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizata të sigurisë, sidomos anëtarësimi në INTERPOL është një prioritet kryesor i imi, i cili do t’i mundësonte Kosovës që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale, duke u bërë pjesë aktive në shkëmbimin e informacioneve për grupet kriminale”, theksoi ministri Gashi

Në këtë takim u theksua se Policia e Kosovës ka bashkëpunuar në aspektin operacional me Policinë e Austrisë në shumë raste, veçanërisht në rastet e krimit të organizuar transkufitar, trafikimit me narkotikë, kontrabandimin me migrantë dhe rastet e krimit kibernetik.

Ministri Gashi falënderoi Austrinë për kontributin e jashtëzakonshëm që e ka dhënë për Republikën e Kosovës në fushën e forcimit të kapaciteteve institucionale në luftimin e korrupsionit. Me këtë vështrim përmendi se ‘disa shërbime i kemi digjitalizuar dhe disa tjera janë në proces, të cilat kanë impakt drejtpërdrejt në ndalimin e korrupsionit“, tha ministri Gashi.

Po ashtu ministri Gashi foli edhe për procesin menaxhimit të riintegrimit të personave të riatdhesuar dhe me programet që janë hartuar për kthim të qëndrueshëm të qytetarëve të Kosovës, ku rreth 43% e të kthyerve janë ndihmuar në projekte të ndryshme.

Zëvendësministrja e Brendshme e Austrisë,  Karoline Edtstadler, theksoi se Republika e Kosovës është një partner i rëndësishëm dhe në përgjithësi Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm në aspektin e sigurisë.

“Ju e dini që shteti i Austrisë ka presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe synimi ynë është zgjerimi i vendeve të BE-së, në veçanti të Ballkanit Perëndimor“, theksoi Edtstadler.

Po ashtu zëvendësministrja Edtstadler theksoi se Austria mbështet pranimin e Republikës së Kosovës në Interpol.

Në fund të takimit u bisedua edhe sa i përket menaxhimit të fluksit të qytetarëve të Kosovës pas procesit të liberalizimit të liberalizimit të vizave. Ministri Gashi theksoi se janë bërë përgatitjet e duhura që të njoftohen qytetarët se cilat janë përparësitë dhe përgjegjësitë pas liberalizimit të vizave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme