Austria ndalon tubimet me më shumë se pesë persona

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Disa shtete evropiane kanë marrë masa të ashpra për ta luftuar përhapjen e koronavirusit. Austria, për shembull, i ka ndaluar tubimet me më shumë se pesë persona dhe e ka zgjeruar listen e shteteve që ua ka ndaluar ose kufizuar hyrjet.

Në listën e vendeve që do të përballen me ndalimin e hyrjes së qytetarëve në Austri u shtuan Rusia, Ukraina, Britania e Madhe dhe Holanda. Shkollat dhe shumica e dyqaneve do të mbyllen nga dita e hënë.

Rumania pritet ta shpallë gjendjen emergjente, ndërsa kryeministri i Republikës Çeke tha se ka gjasa të marrë vendim për vendosjen e tërë shtetit në karantinë.

Këto masa erdhën pasi hapa të ngjashëm morën edhe Franca dhe Spanja. Kjo e fundit është vendi më i prekur në Evropë nga virusi Covid-19 pas Italisë.

Megjithatë, pavarësisht mbylljes së kafeneve, restoranteve dhe shumicës së dyqaneve, Franca do t’i mbajë zgjedhjet lokale, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Sllovakia dhe Republika Çeke tashmë i kanë mbyllur kufijtë me vendet fqinje, njësoj siç ka bërë Greqia me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.


Të ngjashme