Autobusët e rinj vijnë përfundimisht në maj, “Trafiku Urban” s’ka para për ta paguar këstin e parë

Prishtinë | 21 Pri 2018 | 14:54 | Nga

Pritjes së gjatë të Trafikut Urban për kompletimin e flotës me 51 autobusë të rinj pritet t’i vijë fundi më maj.

Kjo pasi punët e kryera në garazhin e kësaj ndërmarrjeje, janë vlerësuar pozitivisht nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

BERZH-i e kishte kushtëzuar ardhjen e autobusëve me rinovimin e garazhit, për çka kjo bankë kishte ndarë një grant prej 800 mijë eurosh, raporton “038” i KTV-së.

Zvarritjet në kryerjen e punëve, kanë bërë që kontingjenti i fundit prej 21 autobusësh të mbetet në parkingun e kompanisë IVECO në Çeki, përreth 16 muaj.

Por, sipas huadhënësit, kushti tjetër, i fundit para ardhjes tyre në kryeqytetin e Kosovës, është pranë finalizimit.

“Hartimi i Kontratës së Shërbimit Publik ndërmjet Komunës dhe Kompanisë, është në fazën e fundit. Aktualisht, janë duke u adresuar çështjet përfundimtare. Ekipi është duke punuar me Komunën dhe Kompaninë për të siguruar dërgimin e autobusëve menjëherë pas nënshkrimit të kontratës – në fillim të majit”, ka thënë Vanora Bennett, zëdhënëse e BERZH-it për Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar edhe i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili ka folur për rolin e ri që do të ketë komuna me kontratën, për të cilën përfaqësues të IVECO-s do të vijnë në Prishtinë javën e ardhshme.

Për këtë kontratë e as kredinë prej 10 milionë eurosh, të cilën do të fillojë ta paguajë nga korriku –pak javë pasi pritet të vijnë 21 autobusët – nuk ka folur kryeshefi i “Trafikut Urban”, Lulzim Rexhepaj.

Huaja me kohëzgjatje 10 vjet, do të paguhet në dy këste në vit – secili mbi 500 mijë euro.

Po ashtu, i pari i ndërmarrjes që ka operuar me gjysmëflote për më shumë se një vit, nuk ka treguar nëse kanë mjete të mjaftueshme financiare për të paguar këstin e parë.

Por mungesa e mjeteve u konfirmua nga kryetari Ahmeti, i cili ka thënë se gjysmë-milioni i parë nuk do të paguhet nga Trafiku Urban, por nga Komuna e Prishtinës.

Ndryshe, Ahmeti ka shtuar se këtë vit pos fillimit me linja të reja, në kryeqytet do të vendosen stacionet/pritoret e reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme