Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka takuar të martën zëvendësministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Bajram Gecaj, para të cilit ka paraqitur disa shqetësime që kanë të bëjnë me punën e përditshme të autoriteteve lokale.
Me këtë rast kreu i Malishevës ka kërkuar nga zyrtari i lartë qeveritar që të angazhohet për kthimin e kësaj komune në kuadër të rajonit të Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas njoftimit të Zyrës komunale për informim, Begaj dhe Gecaj kanë diskutuar për çështje të ndryshme dhe janë pajtuar për rritjen e bashkëpunimit.
“Kryetari Begaj ka kërkuar nga zv.ministri Gecaj angazhimin e tij personal në zgjidhjen e problemit të rajonit dhe kthimin me rajonin e Prizrenit”, thuhet në komunikatë.