Ndonëse punimet në autostradën “Ibrahim Rugova” kanë përfunduar shumë vite me parë, hyrje-daljet e saj ende janë të pandriçuara. Situata e njëjtë është edhe në autostradën tjetër, “Arben Xhaferi”.
Shtyllat ndriçuese janë të vendosura që nga fillimi, por për shkaqe ende të panjohura ato nuk ndizen asnjëherë.
Aksidentet në hyrje-dalje të këtyre autostradave kanë qenë jo të pakta.
Indeksonline ka kontaktuar zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës të cilët thonë se janë duke bërë përgatitje për ta rregulluar çështjen e ndriçimit.
Ministri Pal Lekaj ka thënë për Indeksonline se çështja e ndriçimit në autostrada do të zgjidhet në fund të këtij muaji.
“Kjo çështje do të zgjidhet, deri në fund të këtij muaji, operatori ekonomik për mirëmbajtjen e ndriçimit është në punë”, ka thënë Lekaj.
Ministri poashtu ka theksuar se në këtë segment nuk ka pasur ndërhyje për pothuajse tre vite dhe prandaj ka qenë situata e tillë, që në këto pika ka pasur mungesë të ndriçimit.
“Por e kemi marr me prioritet dhe jemi në rrugë të mbarë që të rregullohet”, ka përfunduar Lekaj.