AUV i mori 1.3 milionë euro për “rehatimin” e qenve endacak, por fajëson komunat që nuk po kryejnë pjesën e tyre

Prishtinë | 26 Tet 2020 | 21:49 | Nga Ekonomia Online

Javën që lëmë pas në komunën e Prishtinës, një grua shtatzënë u sulmua nga qentë endacak. E ky nuk është rasti i vetëm ku qytetarët janë cak i sulmeve të tyre, të cilët i sheh gjithandej nëpër rrugët e kryeqytetit e jo vetëm.

Se çështja është alarmante sa i përket trajtimit të qenve endacak dhe rrezikut që ata shfaqin për qytetarët, e ka pohuar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai madje ka thënë se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës ka marr buxhet 1.3 milion euro për krejt Kosovën për këtë çështje por se situata aktuale është me keq se që ka qenë. Tutje Ahmeti përmes një postimi në Facebook i ka kërkuar Presidentit, kryeministrit dhe deputetëve që ose tu japin përgjegjësinë e plotë komunave,ose të shpallin gjendjen emergjente për ta trajtuar situatën.

Në anën tjetër AUV në një përgjigje për IndeksOnline kanë bërë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2018, si shkak i gjendjes emergjente të paraqitur e ka angazhuar Agjencisë e Ushqimit dhe Veterinarisë që të bëjë trajtimin e qenve endacak në nivel vendi. Sipas tyre buxheti prej 1.3 milionë euro ka qenë i ndarë vetëm për fazën emergjente.

“Në këtë vit me këto mjete janë trajtuar rreth 14 mijë qen endacak. Pas kësaj faze bazuar në shkresat por edhe takimet e mbajtura gjatë vitit 2018, komunat e vendit janë njoftuar për kompetencat ligjore mbi obligimin e tyre për trajtimin e kësaj problematike”, tha zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi.

Ai tutje ka sqaruar se komunat kanë vazhduar të mos shprehin gatshmëri për këtë projekt dhe se si institucion në vitin 2019 kanë ndarë buxhet për të vazhduar projektin për “Menaxhimi dhe kontrolli e qenve endacak”.

“Kemi bërë të mundur që nga projektet tjera të AUV-së të ndajmë buxhet prej 700,000.00 € në mënyrë që gjatë vitit 2020 të bëjmë përsëri trajtimin e kësaj problematike”, theksoi tutje Thaçi.

Thaçi ka sqaruar se AUV në muajin maj të këtij viti ka rifilluar projektin “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacak” projekt ky i cili do të zgjatë 12 muaj. Baza e këtij projekti është ndalimi i shumimit të qenve endacak. Kjo do të thotë që qentë e rrugës kapen, kastrohen/sterelizohen, vaksinohen, identifikohen dhe lëshohen në vendin e kapjes. Ndërsa qentë të cilët janë agresiv dhe paraqesin dyshime për sëmundje të ndryshme, eutanazohen nga veterinari.

Nga AUV kanë thënë se zgjidhja e këtij problemi kaq të ndjeshëm kërkon qasje gjithëpërfshirëse, që nënkuptohet bashkëpunim i ngushtë në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, si dhe disa akterëve të tjerë siç janë Oda e Veterinarëve të Kosovës si dhe shoqatave për mbrojtjen e drejtave të kafshëve.

Ata kërkojnë nga komunat që për vitin 2021 të angazhohen e të ndajnë mjete buxhetore e të kryejnë detyrat sipas mandatit ligjor që kanë.

Një tjetër risi që AUV është duke planifikuar, është regjistrimi i qenve me pronar, pasi që siç ka thënë Thaçi, burimi i shumimit të qenve endacak janë qentë me pronar.

“Jemi duke bërë plotësim –ndryshimet e akteve nënligjore të cilat do ta rregullojnë këtë fushë. Po ashtu jemi duke draftuar udhëzimin administrative për mbarështuesit e kafshëve shoqëruese, në mënyrë që në të ardhmen të bëjmë regjistrimin dhe licencimin e të gjithë atyre që merren me mbarështimin, rritjen dhe tregtimin e kafshëve shoqëruese”, nënvizoj Thaçi.

Të ngjashme