U.d së drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë tha para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, se vetëm shtatë kompani në Kosovë tregojnë se përdorin vajin e palmës, raporton Ekonomia Online.
Naser Krasnqi tha se 73 tonë të vajit të palmës është përdorur nga përpunuesit e qumështit gjatë vitit 2020.
“Vajrat bimore si ai i palmës i nënshtrohet kontrollit kufitar. Atje bëhet vlerësimi i dokumenteve, kontrolli vizual dhe demonstrimi për analiza që dërgohen në laboratorin tonë. Kur ndodhë që ndonjë produkt të pasigurt qarkullon në Evropë e kemi EVC-ën që na jep sinjal. Ne për vajin e palmës nuk e kemi ndonjë gjë që e ndalon. Tash kohëve të fundit në Kosovë po përdorët shumë sidomos në industrinë ushqimore për prodhimin e çipsave e ushqimeve të thata, kurse 20 për qind tek produktet e qumështit. Gjatë vitit 2019 3205 tonë vaj palme është importuar në Kosovë. Ne kemi statistika se nga kush nga cilët operatorë e ka importuar dhe për çfarë e ka përdorur. Kemi 34 kompani të licencuara nga AVUK ku vetëm 7 tregojnë që e përdorin këtë vaj. 73 tonë është përdorur nga përpunuesit e qumështit gjatë vitit 2020”, tha Krasniqi, raporton EO.
“Gjatë vitit 2018-19 Agjencia ka marrë mostra dhe ka bërë kontrolla ku të gjithë kompanitë i kanë qëndruar besnik sasisë së lejuar të përdorimit të vajit të palmës”, tha tutje ai.
Më tej, Krasnqi tregon se pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë për ndalesën e vajit të palmës kanë pasur presion të jashtëzakonshëm nga kompanitë.
Ndërsa, Liburn Aliu nga Vetëvendosja pyeti nëse mund laboratori të identifikojë nëse qumështi ka pluhur, por Krasnqi tregoj se nuk posedojnë një pajisje të tillë.
Tutje, Aliu ka pyetur se në bazë të cilës rregullore bëhet importimi i vajit të palmës, mbi çfarë baze ligjore dhe sa është sasia e lejuar e vajit të palmës. Ndërsa, Flamur Kadriu, drejtor i sektorit të ushqimit në AUV, tha se ende nuk kemi ndonjë ligj që e përcakton sasinë.
“Ende nuk ka ndonjë ligj që të përdoret ose jo vaji i palës. Ka dal një rekomandim a opinion nga EVC-a por që nuk është bërë ligj. Komisoni Evropian shpreh që të dal me një vendim lidhur me përdorimin e këtij vaji. Nuk ka limite maksimale që thuhet se sa duhet të përdoret vaji i palmës në produkte të ndryshme”, tha Kadriu.
Anëtarja nga Nisma, Arbreshë Krasniqi u shpreh e shqetësuar me përdorimin e vajit të palmës pa masë.
“Të gjitha parregullsitë në tregun e punës në kontekstin e ushqimit varen nga AUV, qytetarët kanë të drejtë të irritohen me parregullsitë në maketet tona. Jemi të shqetësuar me përdorimin e vajit të palmës që është kancerogjen dhe përdorët në Kosovë në produkte të qumështit pa masë e pa kriter”, tha ajo.