Gjykata Themelore e Prishtinës dje në orët e mbrëmjes vendosi për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtatë personave të arrestuar nën dyshimin për përgatitje të veprave terroriste.
Një ditë më pas, disa nga avokatët e të dyshuarve kanë paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi, duke i quajtur “spekulime” pretendimet e Prokurorisë.
Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Merita Bina-Rugova, pretendon se të dyshuarit sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxherit, gjatë muajve shtator-tetor 2016 kishin planifikuar sulme terroriste së pari në Kosovë e pastaj edhe në vende të tjera të Ballkanit.
Avokati, i L.M., Nasuf Hasani, thotë për KALLXO.com se përpos që pretendimi i Prokurorisë është i pambështëtur në ligj rrezikon të përkeqësojë edhe imazhin e Kosovës.
“Prokurorja e rastit nuk ka ofruar asnjë provë të vetme që tregon përfshirjen e të mbrojturit tim në veprat që Prokuroria pretendon. Për më tepër nuk janë plotësuar asnjë nga kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Pretendimi për vepra të tilla nga prokurorja jo vetëm që u qet hije të keqe të dyshuarve por edhe prish imazhin e Kosovës si shtet”, tha Hasani.
Edhe avokati tjetër që mbron L.V., Skender Musa, tha se nuk ka asnjë provë sa i përket të mbrojturit të tij.
Musa më tej tha se i mbrojturi i tij nuk ka marrë pjesë në asnjë organizim madje as në Kosovë, është student i shkencave kompjuterike dhe është besimtar që praktikon fenë islame dhe asgjë më shumë.
“Dyshimet janë të pabaza dhe caktimi i paraburgimit është i pabazuar pasi që nuk ka asnjë fakt, por bazohet në spekulime dhe kjo formë e caktimit të paraburgimit pa dyshim se ia ka shkelë të mbrojturit tim të drejtën themelore siç është e drejta e lirisë dhe e drejta e besimit që janë të garantuara me Kushtetutë të vendit dhe kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Musa.
V.I., L.M., B.B., B.I., K.P., L.V. dhe L.M. u arrestuan gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në mbrëmjen e së premtes ndërsa prokuroria pretendon se këta persona mbanin kontakte edhe me persona të tjerë në Shqipëri dhe Maqedoni.