Zyrat e që janë të destinuar për avokatët në Pallatin e Drejtësisë janë të zbrazëta. Aty mungojnë orenditë dhe gjësendet e tjera.
Në Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK), thonë se kanë bërë kërkesë që vetë të pajisin këto zyre, por që nuk janë lejuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK).
Kryetari i OAK-ut Osman Havolli, i tha Ekonomia Online, institucionet shtetërore avokatëve i kanë borxh zgjidhjen e disa çështjeve madhore për ta.
“Zyrat e Avokatisë në Pallatin e Drejtësisë janë të zbrazëta. Iu them këtë, kam kërkuar mundësinë dhe më është thënë nëpërmes donatorëve se kemi mundësi t’iu pajisim Odës së Avokatëve këto zyre brenda Pallatit të Drejtësisë. Neve na është thënë jo se Këshilli Gjyqësor do ta bëj këtë, duhet ta shpallë tenderin, nuk lejohet nga jashtë të futen orendi apo gjësende tjera dhe kemi mbetur ku kemi mbetur. Zyrat janë tonat, llogariten se është një zyrë që më përket mua dhe u përket kolegëve të mi”.
Ndërsa, ka shtuar se nuk kanë as përfaqësues në Këshillin Prokurorial dhe as në atë Gjyqësor, për të cilin tha se është bërë diskriminim në këtë aspekt.
“Ne nuk e kemi përfaqësuesin në Këshillin Prokurorial, Oda e Avokatëve të Kosovës, nuk e kemi në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duhet të jetë edhe një anëtar në Këshill nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Çka ndodhi, edhe në pjesën e Kuvendit u bë një diskriminim në aspektin legjislativ ndaj Odës Avokatëve të Kosovës, sepse në ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, është thënë se ai që dëshiron të jetë anëtar i Këshillit, duhet për pesë vjet ta ndërpres punën dhe Oda e Avokatëve të Punës t’ia siguroj të ardhurat personale atij avokati”.
Pavarësisht se Oda e Avokatëve funksionon mbi bazën e vetëfinancimit, nga anëtarësia dhe licencat e avokatëve, Havolli thotë se nuk po mund të kenë një ndërtesë të veten edhe pse tha se kanë marrë përkrahje nga ministria e Drejtësisë.
Ai ka thënë se nëse institucionet nuk i ndihmojnë në këtë aspekt, të mos i pengojnë, kurse është shprehur se në të ardhmen me kursime dhe me një kredi do të mund ta plotësojnë këtë pikë, raporton Ekonomia Online.
“Kemi mbërri edhe që të kursejmë dhe planifikojmë me e bë një shtëpi tonën sepse jemi me qera deri më tani, dhe jemi në rrugë të mirë. Megjithëse kam kërkuar nga komuna, nga Ministria e Drejtësisë, ministria na ka dhënë përkrahje, për sigurimin e një lokacioni për ndërtimin e një objekti. Komuna s’është përgjigj”.
“Gjashtë muaj kam kërkuar pranim në komunën e Prishtinës dhe ajo është realizuar diku pas 6 muajve kur është bë një grumbull letrash, ishte çështja për diskutimin e blerjes së objektit dhe nuk arrita unë, pas gjashtë muajve e kthyen një përgjigje, jo kemi pranuar ftesë, jo s’kemi pranuar, kur bëmë një grumbull letrash dhe ua prezantuam thanë mirë, atëherë unë nuk shkova. Isha shumë i irrituar, ka shkuar zëvendëspresidenti, unë thash jo”.
“Me vetë faktin që gjashtë muaj ditë pritet për një kërkesë atëherë mundet me thënë që kësaj pune nuk ia sheh rezultatin se mundesh me arritur, natyrën teknike nuk mundet me kaluar atëherë çka pret më tutje. Nëse institucionet shtetërore neve nuk kanë mundësi ose a donë a s’dojnë me na ndihmuar është çështje tjetër, por mos të na pengojnë në punë. Mos të pengojnë punën e avokatisë”.
Ndërsa, sa i përket përgatitjes profesionale të avokatëve për mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale, Havolli ka thënë se janë të përgatitur mirë sa i përket çështjes funksionale, mirëpo ka shtuar se do të jetë i detyruar të përdorë dy lloje komunikimesh, atë me vendorë dhe me ndërkombëtarë.
“Pritet shpejtë që edhe një pjesë e avokatëve të vijnë nga tribunali i Hagës t’i zhvillojmë trajnimet, ligjërimet për avokatë vendorë, përgatitjen e tyre për shkuarjen në tribunal dhe do të kemi ligjërata”.
“E kemi pranuar një gjykatë të tillë, por sa i përket çështjes funksionale jemi jashtëzakonisht mirë. Por tash i kemi dy botë dalluese, pjesa vendore me pjesën ndërkombëtare. Unë duhet me i përdorë në komunikim dy standarde, një standard shumë të avancuar që shkojmë tutje dhe një standard, një lloj komunikimi të eliminimit të pengesave më të vogla të mundshme në Kosovë”.