Prokuroria Speciale e Kosovës së fundmi ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.
Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Deharin, në momente të afërta me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari, u tha në raport.
Avokati Tomë Gashi ka thënë se në këtë rast Prokuroria Speciale duhet ta tregoj të vërtetën, pa manipulime.
Gashi ka theksuar gjithashtu se Prokuroria Speciale këtë ekspertizë e ka pranuar para 12 ditëve.
“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregoj se a kanë marrë gjurmë të ADN- së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, ka shkruar Gashi në rrjetin social në Facebook.
Avokati Gashi më tej ka theksuar se rasti i vrasjes së Astrit Deharit nuk do të duhet të keqpërdorej nga askush dhe më së paku nga Prokuroria Speciale.