Avokati i ish-diplomatit në Kroaci: Gërvalla ka trilluar të pavërteta

Prishtinë | 12 Jan 2023 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Faton Fetahu, avokati i ish-diplomatit në Kroaci, Amir Haziri, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka trilluar të pavërteta në rastin e për thyerjen e derës së zyrës së tij.

Fetahu tha se nga MPJ në mënyrë abuzive kanë justifikuar thyerjen e zyrës së Hazirit dhe sipas tij, nuk dihet se çfarë ka ndodhur më gjësendet personale.

“Ka trilluar të pavërteta sa i përket këtij rasti sepse Haziri asnjëherë nuk është kontaktuar nga ana e zyrtarëve të Ministrisë. Ajo zyre është zyre publike dhe do të duhej ta kishte një çelës kopje siç e kanë administratat në çdo institucion, mirëpo nuk e ka pasur dhe ka gjetur pretekstin e mungesës së çelësit dhe kanë justifikuar thyerjen e zyrës në mënyrë abuzive dhe nuk dihet se çfarë ka ndodhur me gjësendet personale që kanë vlerë materiale dhe jomateriale”, ka deklaruar ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Fetahu përsëri i quajti të pavërteta deklaratat e Gërvallës, teksa tha se ish-diplomati jo vetëm se ka ushtruar padi për shkarkimin, ka parashtruar dhe kallëzim penal.

“Deklaratat e ministres janë të pavërteta dhe Haziri jo vetëm se ka ushtruar padi sa i përket kontestimit të vendimit për shkarkimin e tij, ka parashtruar edhe kallëzim penal në prokurori për veprat e caktuara penale nga ministrja dhe sekretari i kësaj ministrie që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Fetahu.

Ish-diplomati i Kosovës në Kroaci, Amir Haziri ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe sekretarit Behar Isma, arsyeja është përfundimi i marrëdhënies së punës me MPJD-në dhe rastin e thyerjes së zyrës së tij. Ministria e Punëve të Jashtme i është përgjigjur pretendimeve të tij, duke thënë se ish-diplomati Haziri është kontaktuar paraprakisht, por me qenë se i njëjti nuk është përgjigjur, janë ‘detyruar’ të marrin një veprim të tillë.

Të ngjashme