Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e konsideron si legjitime kërkesën e disa prej partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që të ketë rinumërim të plotë të votave, por shton se vendimi i takon organeve kompetente, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj tha se Kosova ka krijuar mekanizma të fuqishëm institucionalë që do të vendosin në mënyrë të drejtë për të gjitha kërkesat dhe ankesat që vijnë nga të gjitha partitë politike.
“Në fakt ajo çka është kërkesë edhe e Kushtetutës tonë por edhe e akteve ndërkombëtare në rastin e respektimin e të drejtave të njeriut është me u respektu vullneti dhe e drejta në votim. Pastaj pjesa tjetër është teknike; është pjesë që iu takon institucioneve të mandatuara me ligj”.
“Ne e kemi monitoruar procesin e zgjedhjeve dhe kemi dalë me disa deklarata gjatë fushatës dhe përfundimit të zgjedhjeve. Kanë qenë disa momente shqetësuese, sidomos mosrespektimi i masave anti-Covid, mirëpo nuk është përfillur deklarata jonë”.
“Kemi marrë shumë ankesa që lidhen me verifikimin e votuesve jashtë vendit. Në fund kemi marrë ankesa për procesin e numërimit të votimit, por edhe të votimit. Ankesat janë drejtuar nga partitë të komuniteteve joshumicë, joserbe. Ata janë thirrur për një manipulim të votave. Mirëpo, në këtë fazë ku ndodhet sistemi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve votave nuk është mandat i yni si Avokat i Popullit të ndërhyjmë ose interferojmë, në asnjë farë mënyre”.
“Sa iu përket kërkesave për rinumërim të tërësishëm të votave nuk mund ta kem një qëndrim timin tani, për arsye se në kuadër të mandatit tim nuk mund të lëshohem në diskutim në këtë temë. Megjithatë unë besoj që kemi arritur të krijojmë mekanizma të fuqishëm institucionalë për të vendosur drejt në lidhje me të gjitha ankesat”.
“Krejt çka mund të them është që procesi zgjedhor ka qenë një test i kaluar me notën më pozitive të mundshme. Përkundër tensioneve që kanë mundur të krijohen për shkak të rivalitetit politik, kemi arritur të kemi një proces demokratik”, tha ai.
“Kërkesa është legjitime, por se cili do të jetë vendimi unë nuk e di, kështu që mund të mbesë vetëm në suaza të kësaj deklarate. Kështu që çdo gjë që vjen për t’i hequr dilemat në lidhje me respektimin e qytetarëve për të zgjedhur është legjitime, mirëpo pastaj është vlerësim i autoriteteve që e kanë mandat për të vendosur”, u shpreh Qelaj për EO.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ibrahim Selmanaj, kërkoi rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.
Lëvizja Vetëvendosje u shpreh kundër kësaj kërkese, ndërsa PDK-ja u deklarua se është legjitime të kërkohet rinumërimi, duke marrë parasysh se janë arrestuar komisionerë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve për manipulim të votave.