Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka shqyrtuar Letër Rekomandimin të Avokatit të Popullit, për Kodi i drejtësisë për të mitur, raporton Ekonomia Online.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se Kodi i drejtësisë për të mitur ka mbetur në vakum një periudhë 6 mujore. Sipas tij, që gjashtë kjo çështje ka mbetur pa mbulim ligjor.
“Zbatimi i ligjit për drejtësinë e të miturve dhe shpërfaqë problem, ky kod shfuqizon kodin e mëhershëm, ka krijuar vakuum juridik sepse thotë se ky kod hyn në fuqi 6 muaj pas shpalljes në gazetë zyrtare dhe e shfuqizon ligjin e më hershem në momentin e futjes në fuqi të këtij ligji. Është diskrepancë e madhe kohore që lë në vakuum 6 muaj krijon situatë që 6 muaj mbesim pa mbulim ligjor dhe vendimet që shpallen nga sistemi gjyqësor janë të paligjshme, kemi kërkuar të mbulohet kjo mënyrë që të mos shpallen të paligjshme vendimet që vijnë sipas drejtësisë të së miturve”, tha Jashari.
Sipas Jasharit, secili veprim gjatë kësaj periudhe mund të sfidohet nga palët e treta.
“Çdo veprim i organeve nëse vepron dhe merr vendime në këtë periudhë kohore këto vendime mund të sfidohen nga palët e treta sa i përket vlefshmërisë”, tha ai.
Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa, tha se ka qenë gabim teknik që ka ndodhur me këtë vakuum, sipas tij kodi i vjetër mbetet në fuqi deri sa të hyj në fuqi kodi i ri.
Ndërsa, anëtari i LDK-së, Arben Gashi, tha se problemi është periudha e cila ka mbetur pa mbulueshmëri, sipas tij, nuk ka se si të veprohet me veprat të cilat janë kryer gjatë periudhës 6 mujore që ka mbetur e pambuluar.
“Në kohën kur kryhet vepra nuk është e paraparë me ligj, çka ndodh me veprat qe janë realizuar në kohën kur nuk ka pas kod, duhet me u rregulluar mbulueshmëria prej momentit kur është shfuqizuar kodi i vjetër dhe kur ka hyrë në fuqi ligji i ri”, tha Gashi, raporton Ekonomia Online.
Komisioni vendosi që të i drejtohet më pas Avokatit të Popullit me një shkresë zyrtare për procedurat e mëtutjeshme.
Kryesuesja e komisionit, Albulena Haxhiu, në fillim të mbledhjes njoftoi se me kërkesë të një anëtari të komisionit i cili nuk ka qenë i pranishëm, është kërkuar të shtyhet për mbledhjen e ardhshme shqyrtimi i ndryshim-plotësimit të Ligjit për Hetim Parlamentar.
Anëtari i komisionit nga LVV-ja, Sami Kurteshi, kërkoi që komisioni për legjislacion bashkë me komisione tjera të krijojnë një grup punues që të ndryshohen ligjet që kanë të bëjnë me largimin e shtetasve të huaj nga Kosova, siç ka qenë rasti i dëbimit të shtetasve turq.
“Kërkoj që komisioni me filluar një grup punues me komisionet tjera që të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjeve që kanë të bëjnë me dëbimin apo largimin e shtetasve të huaj nga Republika e Kosovës”, tha Kurteshi.
Anëtari nga PDK-ja, Hajdar Beqa, tha se Ligji për të Huaj, Ligji për Shtetësi dhe Ligji për Azil kanë nevojë të ndryshohet.
Në komision u vendos që Kurteshi dhe Hajdari të i identifikojnë ligjet që kanë nevojë për plotësim-ndryshim sa i përket kësaj çështje dhe të vijnë me një raport dhe komisioni për legjislacion që i ka nën përgjegjësi të punoj në to.