Avokati refuzon ftesën e gjykatës për seancë, shtyhet gjykimi ndaj Shaban Gogajt

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Pejë, për shkak të mungesës së mbrojtësit të caktuar sipas detyrës zyrtare, Gëzim Kollqaku, i cili është ftuar me ftesë të rregullt, por të njëjtën e ka refuzuar, ka dështuar gjykimi ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, i cili akuzohet për vrasjen e Agonis Tetajt.

Lidhur me mungesën e avokatit Kollqaku, gjykatësja Violeta Husaj- Rugova tha se i njëjti është ftuar me ftesë të rregullt, por ka refuzuar pranimin e ftesës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I kontaktuar nga ana e gjykatës për refuzimin e ftesës, i njëjti ka thënë se do ta paraqes me shkrim, por deri më tani gjykata nuk ka marrë ndonjë parashtresë nga ana e tij”, tha gjykatësja.

“Unë avokat e kam Besnik Berishën, avokat tjetër nuk kam nevojë me angazhu”, ka thënë i akuzuari Gogaj.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova mori vendim që kjo seancë të shtyhet dhe e radhës u caktua më 31 janar 2022.

Lidhur me seancën e radhës, për avokatin Gëzim Kollqaku, gjykata do të vendos jashtë seancës, duke vepruar sipas dispozitave ligjore.

Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 25 nëntor, ku i akuzuari Gogaj ka refuzuar që të caktojë avokat tjetër, përveç avokatit Besnik Berisha.

Ndërsa më 1 dhjetor, avokati Besnik Berisha njoftoi se përmes tij, i akuzuari Shaban Gogaj ka parashtruar padi kundër trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë, të kryesuar nga kryetarja e këtij trupi gjykues, Violeta Husaj Rugova dhe anëtarëve Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, për kompensimin e dëmit jomaterial në shumë prej 100 mijë euro.

kjo lëndë penale ishte ndërprerë, pasi gjykatësja e rastit Violeta Husaj-Rugova i kishte shqiptuar vërejtje, dënim me gjobë prej 500 euro dhe më pas e kishte përjashtuar mbrojtësin e të pandehurit Gogaj, avokatin Besnik Berisha, për shkak të prishjes dhe rendit në seancë gjyqësore.

Vendimi i gjykatëses ishte atakuar dy herë në Gjykatën e Apelit, kur kjo e fundit përfundimisht kishte konstatuar se Gjykata e Pejës kishte vendosur drejt kur kishte dënuar me gjobë avokatin Berisha.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të marrë më 27 tetor 2021, Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Besnik Berisha dhe ka vërtetuar dënimin me gjobë prej 500 euro të Gjykatës së Pejës për shkak të prishjes së rendit në gjykatore.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës ka vendosur drejt kur ka shqiptuar dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha.

Ndryshe, Gjykata e Pejës me 7 shtator 2021, pasi Apeli prishi vendimin e Gjykatës së Pejës për gjobitjen e mbrojtësit të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha për shkak të arsyjeve të paqarta në shqiptimin e dënimit, kjo e fundit sërish ka gjobitur avokatin Berisha me 500 euro, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit.

Një vendim të tillë e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, më 1 shtator 2021, e cila në dispozitivin e vendimit ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 euro ndaj Berishës për prishje të rendit në seancë gjyqësore.

“Deri te vendimi mbi dënimin me gjobë të avokatit Besnik Berisha në seancën e datës 28 qershor 2021, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur bazuar në dispozitën e nenit 302, par.1 të KPRK-së, pasi që i njëjti ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë, i është tërhequr vërejtja dhe sërish ka vazhduar me prishje të rendit”, thuhet në arsyetimin e gjykatëses Husaj-Rugova.

Sipas arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Pejës, avokati Berisha i ishte drejtuar kryetares së trupit gjykues se ishte e padenjë të drejtonte shqyrtimin kryesor, paragjykuese dhe se ishte e njëanshme.

“Në seancën e 7 maj 2021, para se gjykata të lëshohet në shqyrtim gjyqësor e mbrojtësi në fjalë kërkon fjalën dhe i drejtohet gjykatës: “se ka humbur besimin dhe se ju e keni paragjykuar çështjen”, me pretendimin e tij në vazhdim, pastaj “ju keni lënë njollë në drejtësi”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.

Në arsyetim thuhet se gjykatësja ia kishte tërhequr vërejtjen mbrojtësit Berisha pasi i njëjti ka marrë fjalën pa lejen e gjykatës, duke e njoftuar për pasojat dënimit me gjobë.

“Pra, siç rrjedh nga të lartëceurat, mbrojtësi ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë gjatë shqyrtimit gjyqësor kur i drejtohet kryetares së trupit gjykues, “e padenjë për të udhëhequr këtë shqyrtim gjyqësor, “paragjykues i çështjes”, pastaj kur bën komente merr fjalën pa lejen e gjykatës, kur i drejtohet dëshmitarit se “keni dalë atje si kozmetikë”, si dhe për secilin rast kryetrja e trupit gjykues i ka tërhequr vërejtjen, e po ashtu siç u cek më lart, është njoftuar për pasojat”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.

Ndryshe, Gjykata e Apelit më 20 gusht 2021 e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha dhe e ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës së Pejës për dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha.

Apeli arsyeton se Gjykata e Pejës nuk ka dhënë arsye të qarta në lidhje me shqiptimin e dënimit me gjobë ndaj avokatit Berisha.

Ndryshe, më 28 qershor të këtij viti, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, e ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogaj.

Kjo pasi, avokati Berisha i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.

Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët; “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”.

Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij.

Me dënimin me gjobë dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit Shaban Gogaj, nuk është pajtuar Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ku kjo e fundit e ka cilësuar këtë vendim, cenim të nderit dhe profesionit të avokatisë.

Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykatësja Violeta Husaj-Rugova nuk kishte përfshirë në procesverbal të gjitha deklarimet e bëra në atë seancë.

Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli Drejtues ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ), të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Pejës për dënimin dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha.

Përveç kësaj, Këshilli ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, që përveç vlerësimit të vendimeve, të bëjë edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.

Ndërsa, sipas Këshillit Drejtues, deri në përfundimin e hetimeve disiplinore ndaj avokatit Berisha nga prokurori disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, në rast të kërkesës nga Gjykata Themelore në Pejë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, gjegjësisht kryetari Armend Berisha ka refuzuar kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), që të inicojë procedurë disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.

Sipas burimeve brenda gjykatës, “Betimi për Drejtësi” merr vesh se Gjykata e Pejës nuk e ka gjetur të bazuar kërkesën për inicim disiplinor dhe rishqyrtim të vendimit për përjashtimin e avokatit Berisha dhe si rrjedhojë, kjo kërkesë është refuzuar si e pabazuar.

Kurse, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në punën profesionale të gjyqtarëve pasi institucioni që e udhëheq merret vetëm me administrimin e gjyqësorit në përgjithësi.

Këtë përgjigje Zogaj ia ka kthyer kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, kur ka refuzuar të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Pejës, e cila ka gjobitur dhe përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit për vrasje, Shaban Gogaj.

Kurse më 24 shtator 2021, Zyra e Prokurorit Disiplinor e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), nuk kishte gjetur shkelje ligjore në veprimet e mbrojtësit të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha, ku ky i fundit ishte gjobitur dhe përjashtuar nga mbrojtja e Gogajt, për shkak të mosrespektimit të Gjykatës së Pejës.

Në vendimin të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, sqarohet se më 1 shtator 2021, Zyra e Prokurorit Disiplonor të OAK nga provat e administruara, nuk ishte vërtetuar se avokati Besnik Berisha kishte kryer shkelje disiplinore.

Po ashtu, njofton Gjykatën e Pejës se nuk do të caktojë mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare për të pandehurin Shaban Gogaj.

Ndryshe, Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore

Më 25 dhjetor, Ministria e Drejtësisë (MD) ka miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.

Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,

Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.

Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme